Tre operatore te transportit urban paralajmerojne nderprerje sherbimi
Transporti urban në Tiranë përveç shtimit të kostove nga rritja e naftës dhe problemit me rënien e fluksit të pasagjerëve, po vuan edhe konkurrencën e pandershme.
Shkeljet e përsëritura nga linjat rrethqytetase në kundërshtim me itinerarin e miratuar nga Bashkia Tiranë po shkaktojnë humbje financiare për operatorët e tjerë.
Të dëmtuar nga ky informalitet janë kompanitë “Shega-Trans” sha në linjën Kombinat-Kinostudio, “Tirana Travel” shpk për linjën Sharrë-Uzina Dinamo dhe kompania “Green Line” shpk për linjën nga kthesa e Yzberishtetit deri në Qendër.
Të treja kompanitë nëpërmjet një letre dërguar Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve dhe Transportit Rrugor, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,
Drejtorisë së Transportit përsërisin kërkesën për marrjen e masave ligjore për operatorin e linjës Nr. 21 “Ndroq – Tiranë – Ndroq”, si pasojë e ushtrimit të aktivitetit në mënyrë të paligjshme dhe në shkelje të hapur të ligjit.
Operatorët bëjnë me dije se kjo veprimtari e paligjshme jo vetëm po sjell ulje të konsiderueshme të numrit të pasagjerëve, por edhe dëm financiar.
Sakaq këto kompani ngrenë shqetësimin se pasagjerët të cilët merren në stacionet e linjave të tyre nga linja Nr. 21 “Ndroq – Tiranë – Ndroq, e cila është linjë rrethqytetase,
paguajnë biletën prej 20 – 30 lekësh, pra 10-20 lekë më pak se vlera e biletës së linjës urbane qytetase dhe 20 deri 60 lekë më pak se bileta e përcaktuar për lëvizjen rrethqytetase.
Shoqata e Transportit Urban tha për Monitor se administratorët e kompanive “Shega-Trans”, “Green Line” dhe “Tirana Travel” kanë paralajmëruar ndërprerje të shërbimit, duke nisur nga java e ardhshme nëse nuk zgjidhet problem me konkurrencën e pandershme.