Secondary Adv

Tensionet ne veri, Priten zgjedhje te jashtezakonshme ne Kosove

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e komunave në veri të vendit.

 

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës, Osmani duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

 

Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor.

 

Në Mitrovicën e Veriut, të dielën, është mbajtur një protestë e thirrur nga Lista Serbe për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, Republika e Kosovës.

 

Kjo protestë u mbajt një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.

 

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.

 

Dhjetë deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës./Burimi: Abcnews.al


Më të lexuarat