Secondary Adv

Hap dyert spitali i ri Infektiv ne QSUT, Rama: Rrisim serish pagat

Pas rikonstruksionit, ka hapur dyert Spitali i ri infektiv në ambientet e QSUT.

 

Kryeministri Edi Rama e cilësoi stafin mjekësor si krenaria e mjekësisë shqiptare dhe premtoi se do ketë sërish rritje të pagave. “Ishte kënaqësi që gjatë vizitës në këto mjedise të reja të takoja ata me eksperiencë dhe më të rinjtë.

 

Kam besim që ky investim do të shërbejë për të krijuar sinergji më të madhe dhe sens më të fortë të një skuadre e cila e tregoi veten në momentin më tragjik. Përfitoj të falënderoj dhe përfaqësuesin e Bankës Botërore.

 

Banka Botërore na është përgjigjur në nevojën tonë për shpejtësi dhe besoj se është mbështetja dhe kuptimi i plotë i rëndësisë së madhe të këtij projekti në aspektin e infrastrukturës dhe moral për këtë trupë që është krenaria e mjekësisë shqiptare”, tha Rama.

 

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se paga e stafit mjekësor që punon në spitalin Infektiv do të ketë sërish rritje nëse Shqipëria nuk përballet me ndonjë krizë apo katastrofë tjetër.

 

“Me ndihmën e Zotit që mos na sjelltë ndonjë tjetër katastrofë, jam i bindur që ta cojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë ju që shërbeni në këtë kompleks.

 

Investimet do të vijojnë dhe në territore të tjera nga Dibra në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar. Ne e dimë që kjo nuk mjafton.

 

Duhet të ecim me autonominë spitalore për të bërë rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës që kush punon më shumë, të fitojë dhe më shumë se paga tavan”, tha Rama./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat