AKBN nxjerr per eksplorim 1 bllok nafte, ja deri kur mund te aplikohet
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka ndërmarrë një fushatë promovimi për blloqet e lira të kërkimit të naftës, teksa ka ofruar për eksplorim bllokun 5 në tokë.
Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit do të jetë deri në 5 vjet, por në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të zgjatet deri në 7 vjet. Kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi, që ndër të tjera parashikon detyrime për punësimin e banorëve të zonës.
Kjo nuk është hera e parë që AKBN ofron për eksplorim 1 bllok nafte, pasi një fushatë e ngjashme u ndërmor edhe në vitin 2019, ku për njërin prej blloqeve u finalizua eksplorimi në bllokun Dumrea.
Marrëveshja për nisjen e operacioneve të kërkimit të naftës për këtë bllok u nënshkrua me kompaninë italiane ENI, në fund të vitit 2019. Ndërkohë që, edhe për bllokun C, pati një shprehje interesi, por nënshkrimi i marrëveshjes hidrokarbure nuk u arrit.
Për këtë bllok u rihap sërisht një garë, më herët gjatë këtij viti, së bashku edhe me bllokun Panaja, teksa kompania shqiptare Energy Development Group ishte e vetmja që shprehu interes.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore bëri me dije për TV SCAN se fillimisht kishte shfaqur interes edhe kompania ENI, por pasi u njoh me paketën e të dhënave, informoi se nuk do të merrte pjesë në aplikim.
Gjithsesi, deri më tani nuk ka një ifnromacion zyrtar për përfundimin e kësaj procedure. Fushata e radhës, e ndërmarë nga AKBN vjen pas një urdhri të MIE, me datë 13 shtator 2022, ndërkohë që kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 16 janar për të aplikuar./Burimi: SCAN