Secondary Adv

Zgjerimi i rruges Elbasan-Qafe Thane, shpallet fituesi per mbikeqyrjen

Pas shpalljes së kompanisë fituese për tenderin e zgjerimit të rrugës Elbasan Qafë Thanë nga ARRSH, së fundmi është konfirmuar edhe emri i kompanisë mbikëqyrëse.

 

ARRSH njoftoi se INVICTUS është kompania fituese për kontratën e supervizionit ““Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë Thanë, (Faza 1)” me një vlerë 18.4 milionë lekë.

 

Aksi rrugor Elbasan–Qafë Thane është një nga rrugët më të rëndësishme në vend, pjese e korridorit VIII, që si itinerar ka Durrës – Elbasan – Librazhd –Qafë Thanë, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

 

“Për vendin tonë, ky aks rrugor lidh zona me shumë rëndësi si portin e Durrësit dhe shtetit tonë me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë etj.

 

Nga ana e MIE është kërkuar realizimi i një ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të lëvizjes së automjeteve në segmentin rrugor nga Dalja e Qytetit të Elbasanit deri në Qafë Thanë. Gjatësia totale e këtij aksi rrugor është 50.12 km.

 

Gjithashtu, nga investitori është kërkuar që ndërtimi të ndahet në disa faza, duke e bërë më fleksibël realizimin e veprës, si nga ana manaxheriale ashtu dhe nga ana ekonomike”, thuhet në dokument.

 

Teksa gjatësia është 50 kilometra ndërhyrja e parë përfshihet një segment prej 5 kilometrash. “Projekt fillon në dalje të Fshatit Labinot-Fushë në km 1+440 dhe përfundon në fshatin Mirakë, në km 6+500 dhe ka një gjatësi prej 5060ml.

 

Në pjesën e fillimit, ky segment rrugor shtrihet mbi trasenë e rrugës ekzistuese (deri në km 2+690) pastaj gjurma e rrugës kalon komplet në buzë të lumit Shkumbin, në formën e një by-pass-i për zonën e fshatit Xibrakë, ku parashikohen edhe mbrojtje lumore dhe vepra të ndryshme hidroteknike.

 

Kjo zgjidhje shmang edhe problematikën e madhe të kalimit nën Hekurudhë në km 3+020, në fillim të fshatit Xibrakë”, thuhet në dokument.

 

Parametrat e aksit kryesor janë të tillë: kategoria e rrugës: B, ndërurbane parësore, gjatësia e segmentit kryesor: 5060 ml, gjerësia e kurorës: 23.5 m dhe vija e kalimit: dy korsi për secilën anë me nga 2.75 metra.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/zgjerimi-18-4-mln-euro-i-rruges-elbasan-qafe-thane-shpallet-fituesi-per-mbikeqyrjen/


Më të lexuarat