Secondary Adv

Arrihet marreveshja mes Kosoves dhe Serbise per targat

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka njoftuar mbrëmjen e sotme arritjen marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

 

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrell ka bërë me dije se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së kishin rënë dakord për disa masa që do të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

 

Marrëveshja përmban ndalimin e lëshimit të targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës nga ana e Serbisë. Nga ana tjetër, Kosova do të ndërpresë ndalimin e automjeteve serbe në kufi duke mos i detyruar për të kryer riregjistrim të mjeteve.

 

“Ne kemi nje marreveshje! Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

 

Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

 

Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj Miroslav Lajcak dhe palët për punën e palodhur”-reagimin e Borrell.

 

Pas arritjes së marrëveshjes pritet që të ulen tensionet në veri të Kosovës, ku Lista Serbe paralajmëroi protesta të vazhdueshme kundër vendimit të qeverisë Kurti për reciprocitetin e targave.

 

Ndërkohë Kurti dhe Vuçiç të cilët u takuan në 21 nëntor në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçak dhe Borrell, sërish nuk arritën një marrëveshje për targat.

 

Pas dështimit të negociatave, Borrell u shpreh i ashpër kryesisht ndaj Kosovës, duke kërkuar fleksibilitet për çështjen e targave. Kjo deklaratë e Borrell solli edhe një reagim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila akuzoi përfaqësuesin e BE për njëanshmëri në favor të Serbisë.

 

Ndërkohë në institucionet në veri të Kosovës, vijon ngërçi i krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet shtetërore pas pezullimit të drejtorit të policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç.

 

Vendimi i marrë nga Kurti shkaktoi dorëheqjen e policëve serbë, më pas të gjyqtarëve prokurorëve dhe anëtarëve të këshillave komunalë. Dorëheqjet e tyre u ndoqën edhe nga dorëheqjet e deputetëve serbë nga mandati i tyre në Kuvendin e Kosvovës.

 

Vjosa Osmani caktoi datën 18 dhjetor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në katër komuna në veri të Kosovës pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat