Secondary Adv

Aktiviteti i bizneseve ne Eurozone shenon renie per te pestin muaj

Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve tregon shenja përmirësimi në vonesat e zinxhërve të furnizimit dhe besimin e bizneseve.

 

Aktiviteti i bizneseve në eurozonë është reduktuar për të pestin muaj radhazi, por pati shenja përmirësimi në besimin e bizneseve pasi kufizimet e zinxhërve të furnizimeve dhe presionet e çmimeve janë lehtësuar, sipas një sondazhi ku marrin pjesë shumë kompani.

 

Indeksi i përbërë i Menaxherëve të Blerjeve nga S&P Global, një indikator i rëndësishëm i kushteve të biznesit, u rrit me 0,5 pikë duke shkuar në 47,8 në nëntor, por gjithsesi ai tregon rënien e dytë më të madhe në aktivitetin e kompanive gjatë nëntë viteve të fundit, duke përjashtuar periudhën e izolimeve të koronavirusit.

 

Shifra nën 50 tregon rënie të aktivitetit dhe jo rritje të tij. Rezultati i sondazhit ishte më pak i zymtë sesa pritej nga ekonomistët e anketuar nga Reuters, të cilët kishin parashikuar një rënie të indeksit deri në nivelin 47.

 

Bizneset raportuan një lehtësim të kufizimeve të ofertës dhe të presioneve të kostove, si dhe u shprehën pozitivë për një pamje më optimiste gjatë vitit të ardhshëm. Norma e rënies së aktivitetit u lehtësua dukshëm te prodhuesit në Gjermani, ekonomia më e madhe e eurozonës.

 

Por, sondazhi tregoi gjithashtu rënie të prodhimit të fabrikave, reduktim të porosive të reja dhe ngadalësim të rritjes së punësimit, duke dhënë kështu një tjetër sinjal se prodhimi ekonomik i eurozonës pritet të bjerë këtë dimër.

 

“Recesioni duket i mundshëm, megjithëse të dhënat e fundit japin shpresë se niveli i rënies ekonomike mund të mos jetë aq i rëndë sa mendohej më parë,” tha Chris Williamson, kryeekonomist për bizneset në S&P Global Market Intelligence.

 

Të dhënat treguan një rënie prej 0.2 për qind të produktit të brendshëm bruto të eurozonës në tremujorin e katërt, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, tha ai.

 

Shenjat e lehtësimit të kufizimeve në zinxhirët e furnizimeve dhe rënia e presioneve të çmimeve nga prodhuesit mund të “heqin një pjesë të presionit” nga Banka Qendrore Europiane, në një kohë kur politikëbërësit e saj po vlerësojnë se sa duhen rritur më tej normat e interesit për të zbutur inflacionin rekord të eurozonës, shtoi ai.

 

Shumica e ekonomistëve mendojnë se eurozona tashmë ka hyrë në një recesion teknik, përkufizimi i të cilit është: dy tremujorë radhazi të rënies së prodhimit.

 

Por, ata presin që kjo rënie do të jetë më e ulët nga sa mendohej fillimisht, për shkak të rënies së çmimeve të energjisë dhe lehtësimit të shqetësimeve për mungesat e gazit./Burimi: FT/Monitor https://www.monitor.al/bie-aktiviteti-i-bizneseve-ne-eurozone-per-te-pestin-muaj-radhazi/


Më të lexuarat