Ankesa prane KPP, pezullohet tenderi i pyllit orbital per Tiranen
Tenderi mbi kufirin e lartë monetar për blerjen e pemëve për Pyllin Orbital është pezulluar, pasi një kompani ka depozituar ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Sipas dokumenteve të bëra publike, subjekti pretendon se Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim Gjelbërimit, e Bashkisë Tiranë ka vendosur kritere të paramenduara, çka nënkupton paracaktimin e fituesit, si dhe një sërë kriteresh të tjerë, që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Shumica e mjeteve dhe makinerive të kërkuara nuk kanë lidhje me natyrën dhe objektin e prokurimit”, – thuhet ndër të tjera në ankesë, duke shtuar se gjithsesi ato disponohen nga autoriteti kontraktor.
I njëjti pretendim ngrihet edhe në drejtim të kapaciteteve njerëzore që duhet të disponojë kompania për t’u futur në garë.
Paralelisht, subjekti ankimues vlerëson se përfshirja në tender e punimeve mbështetëse, përveç blerjes së pemëve që duhet të kryejnë kompania, zhduk garën, teksa me përcaktimin e kritereve në mënyrë të paligjshme, të gjithë operatorët që operojnë në fushën e bimësisë dekorative dalin nga gara.
Sipas procedurës së shpallur parashikohet blerja e 24.623 pemëve dekorative, që zë rreth 98% të vlerës së përgjithshme të kontratës, ndërsa punimet mbështetëse të ndërtimit pë sistemim dhe vendosje të 1.058 pemë dekorative, janë zëri tjetër me 2% të saj.
Fondi limit i tenderit kap një vlerë prej 300 mln lekë, ndërkohë që gjatë hapjes së garës,pranohej se projekti i Pyllit Orbital rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi./Burimi: SCAN