Secondary Adv

Informaliteti i larte, rreth 200 mije te punesuar nuk deklarojne pagen reale

Afro 1/3 e punonjësve në të gjithë vendin nuk deklarojnë të ardhura të plota nga punësimi.

 

Në këtë konkluzion del strategjia për Aftësi dhe Punësim 2023-2030 e hedhur për konsultim së fundmi, ku duke marrë në analizë numrin total të të punësuarve me pagë, rezulton se rreth 200 mijë punonjës janë të nëndeklaruar, çka u sjell atyre kufizime në të ardhurat për pensionin e pleqerisë, në kreditim apo forma të tjera financimi.

 

Gjithashtu, sipas dokumentit, infomaliteti në punë ka përmasa edhe më të mëdha, pasi në vitin 2021 rezulton se vetëm 47.9% e të punësuarve në shkallë vendi, janë të punësuar me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë pa pagë që punojnë si të vetëpunësuar apo me familjet e tyre, apo informalë. 

 

Referuar strategjisë, punësimi informal edhe pse në trend rënës, mbetet relativisht më i lartë tek të rinjtë, punëtorët me kualifikim të ulët dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, si: bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit.

 

Punësimi informal dhe pa pagë të caktuar, deri në një fare mase, pasqyrohet në përqindjen e lartë të punësimit në bujqësi: 34% e të gjitha vendeve të punës Tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe shërbimeve si dhe drejt ekonomisë së gjelbër dhe digjitale parashikohet të sjellë përmirësime në këtë fenomen.

 

Për të përmirësuar ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë, kërkesave ligjore të kushteve të punës, strategjia parashikon që institucionet të forcojnë sistemin informues e këshillues,

 

përfshirë shërbimet për bizneset, si dhe të përdorin masa administrative për të parandaluar dhe minimizuar shkeljet e legjislacionit të punës, sidomos ato që lidhen me marrëdhëniet e punës, e sigurisë dhe shëndetit në punë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat