Secondary Adv

Banka qendrore e Turqise ul serish normat e interesit, rekord inflacioni

Banka qendrore e Turqisë uli sërish normat e interesit me 150 pikë bazë në 9% dhe vendosi t’i japë fund ciklit të lehtësimit të politikës monetare.

 

Banka Qendrore e Turqisë ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan për të vazhduar uljen e normave pavarësisht rritjes së inflacionit, i cili arriti në 85.5% nga viti në vit në tetor, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe energjisë vazhduan të rriten.

 

Në një deklaratë për mediat Banka qendrore sqarou se duke marrë parasysh rreziqet në rritje në lidhje me kërkesën globale, komiteti vlerësoi se norma aktuale është e përshtatshme dhe vendosi t’i japë fund ciklit të uljes së normës që nisi në gusht.

 

Presidenti Erdogan vazhdon të këmbëngulë se rriyja e normave të interesit, një nismë e ndërmarrë nga bankat qendrore në të gjithë botën, do të dëmtonte ekonominë turke.

 

Një këmbëngulje kjo që sipas ekonomistëve ka shkaktuar një zhvlerësim të konsiderueshëm të monedhës vendase dhe ka rritur inflacionin. Presidenti turk ka deklaruar vazhdimisht qëllimin e tij për të ulur normën e interesit në një shifër brena këtij viti.

 

Sipas bankës qendrore të Turqisë, pasojat negative të kufizimeve të ofertës në disa sektorë, vecanërisht ushqimet bazë, janë zbutur si pasojë e zgjidhjeve strategjike. Por nga ana tjetër tendenca në rritje e cmimeve të prodhimit dhe konsumit vazhdon në shkallë ndërkombëtare.

 

Efektet e inflacionit të lartë global në pritshmëritë inflacioniste dhe tregjet financiare ndërkombëtare monitorohen nga afër.

 

Për më tepër, bankat qendrore në ekonomitë e përparuara theksojnë se rritja e inflacionit mund të zgjasë më shumë se sa ishte parashikuar më parë për shkak të nivelit të lartë të çmimeve të energjisë, çekuilibrit mes ofertës dhe kërkesës dhe ngurtësisë në tregjet e punës./Burimi: SCAN


Më të lexuarat