Secondary Adv

Aplikimet per azil, 15.3 mije shqiptare u larguan drejt BE e Britanise kete vit

Aplikimet për azil kanë vijuar tendencën rritëse përgjatë këtij viti, ndonëse ato mbeten më të ulëta në krahasim me periudhën e para pandemisë.

 

Sipas statistikave të Eurostat, në gusht është regjistruar numri më i lartë i aplikimeve për azil për këtë vit, duke arritur në 950. Për gjithë periudhën janar- gusht janë shënuar gjithsej 6720 aplikime, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Megjithatë, në krahasim me para pandeminë, aplikimet për azil mbeten 43% më të ulëta për të njëjtën periudhë. Të dhënat paraprake për shtatorin, ku nuk raportohen të gjitha shtetet, tregojnë se tendenca është përshpejtuar.

 

Nga të dhënat e deritanishme janë gati 1400 aplikime për azil vetëm në muajin shtator. Që prej vitit 2019, Eurostat nuk i raporton më të dhënat për aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Statistikat e tjera të Mbretërisë së Bashkuar në faqen e internetit www.gov.al, tregojnë se vetëm në 6- mujorin e parë të vitit kërkuan azil nga Shqipëria 7,267 persona, 8% më shumë se sa aplikuan në të gjitha vendet e Bashkimit Europian për 8 mujorin.

 

Shqipëria, e para në botë për kërkesat e larta për azil në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, në raport me popullsinë

 

Në total, duke përfshirë aplikimet në BE së bashku me të dhënat paraprake për shtatorin dhe aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar, për 6 mujorin, numri i personave që kanë ikur zyrtarisht këtë vit është rreth 15.3 mijë.

 

Aplikimet për azil deri në shtator

-Në Bashkimin Europian (janar-shtator)          8,115

-Në Mbretërinë e Bashkuar (janar-qershor)      7,267

TOTALI                                                        15,382

 

Në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, Franca vijon të mbetet më e preferuara, me gjysmën e aplikimeve që shkojnë në këtë shtet, të njohur për politikat sociale. Pas Francës renditet Gjermania me rreth 21% të aplikimeve. 

 

Aplikimet në Bashkimin Europian

Sipas Eurostat, 77,5 mijë azilantë për herë të parë jo shtetas të Bashkimit Europian u regjistruan në gusht të vitit 2022.

 

11 mijë persona më shumë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare, krahasuar me muajin e kaluar që përkthehet në një rritje prej 17%. Krahasuar me gushtin e vitit 2021, numri total i kërkesave ka pësuar një rritje prej 54%.

 

Për të njëjtin muaj, 6,100 persona riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim i mëparshëm, me një rritje prej 4% se krahasuar me korrikun e vitit 2022. Për të njëjtin muaj të vitit 2021, numri ka pësuar rënie prej 11%.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/aplikimet-per-azil-15-3-mije-shqiptare-kane-ikur-zyrtarisht-ne-be-e-britani-kete-vit/


Më të lexuarat