Secondary Adv

Bashkia e Vlores nis rehabilitimin e infrastruktures rrugore te qytetit

Bashkia Vlorë ka nisur projektin e rehabilitimit dhe riparimit të infrastrukturës rrugore në qytet. Prej disa ditësh po punohet për sistemim asfaltimin e sheshit përpara godinës së Bashkisë dhe segmentit rrugor që e lidh atë me Muzeun Historik.


 Në preventimin e punimeve parashikohet zhveshja e shtresës së dëmtuar të asfaltit ekzistues dhe riveshja me asfalt të ri, riparimi i trotuareve dhe rrjetit të dëmtuar inxhinierik e atij të ndriçimit, ndërhyrja për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara etj. Paralel me këtë, në të gjithë hapësirën e qytetit po evidentohen dhe po ndërhyhet për riparimin e dëmtimeve në rrjetin e ujësjellësit, ku zbatohet një cikël i plotë punimesh, së bashku me riparimin e shtresës së asfaltit.
Sipas drejtuesve të Bashkisë, përmes projektit të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore, që financohet nga të ardhurat lokale, synohet normalizimi i situatës, ndërkohë që në vazhdimësi do të punohet për projekte të tjera.


Prej disa muajsh, ka nisur ndërhyrja dhe pastrimi i sistemit të kanalizimit të ujrave të bardha në të gjithë hapësirën urbane. Pjesë e kësaj pune janë edhe kanalet e ujrave të larta, si dhe baseni ujëmbledhës i këtyre ujrave, ku, sipas kryebashkiakut Dritan Leli, nuk ishte ndërhyrë prej më shumë se 25 vitesh.
Efektiviteti i kësaj pune është reflektuar gjatë ditëve me reshje intensive shiu në dy muajt e fundit, kur nuk janë përsëritur situata shqetësuese, sikundër ato të 10 tetorit të vitit të kaluar, kur qyteti u përball me përmbytje masive.


Ndërkohë, janë në një fazë të avancuar punimet për ndërtimin e segmentit që lidh hyrjen e autostradës Vlorë-Fier, me “Transballkaniken”, që vlerësohet si një projekt mjaft i rëndësishëm. Paralelisht me këtë, po punohet me intensitet edhe për ndërtimin e Shetitores (“Lungomares”), nga Skela në Ujin e Ftohtë.


Më të lexuarat