Secondary Adv

Kreditimi ne nivelin me te ulet qe prej 2016, bie me 18 per qind ne tetor

Rritja e normave të interesit dhe kriza e çmimeve duket se kanë nxitur një tkurrje domethënëse të kreditimit gjatë tetorit, tregojnë shifrat zyrtare nga BSH.

 

Pas muajsh me radhë rritje të huasë së re, politikat shtrënguese të Bankës së Shqipërisë kanë dhënë efekt.

 

Kredia e re për ekonominë gjatë tetorit për të gjithë segmentet dhe për të gjitha valutat fiksohet pranë 19.17 miliardë lekëve, duke regjistruar kështu një tkurrje krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kur kredia e re fiksohej pranë 22.6 miliardë lekëve, duke rënë kështu me 17.9%.

 

Edhe në tetorin e vitit 2020 huaja e re në total ishte më e lartë se këtë vit. Madje, nga analiza e shifrave historike vihet re se kreditimi këtë vit në tetor ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2016, kur fiksohej në 17.5 miliardë lekë.

 

Ndërkohë, sa i përket kredisë së re vetëm për sektorin privat, gjatë tetorit fiksohet pranë 19.17 miliardë lekëve, duke regjistruar një rënie krahasuar me një vit më parë, me 19.6%.

 

Nga ana tjetër, kredia e re për individët fiksohet pranë 5.89 miliardë lekëve, nga rreth 6.5 miliardë lekë që ishte gjatë tetorit të vitit të kaluar, duke rënë kështu me 11.54%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara dhe analizuara nga “Scan Intel”.

 

Huaja e re për individët regjistron kështu nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2020. E njëjta situatë vihet re edhe për kredinë e re për individët për blerje banese.

 

Kjo e fundit fiksohet pranë vetëm 2.96 miliardë lekëve gjatë tetorit, nga 3.23 miliardë lekë që ishte një vit më parë, pra në rënie me 9.1%.

 

Madje, ky segment i kredisë ka regjistruar rezultatin më të dobët të vitit, që prej janarit, por duke pasur parasysh që muaji i parë i vitit karakteriozhet nga një kërkesë e ulët për kredi, sidomos për blerje shtëpie.

 

Nga ana tjetër, nëse shohim shifrat zyrtare sa i përket normave mesatare të interesit vëmë re një rritje të ndjeshme gjatë tetorit, gjë që është reflektuar rrjedhimisht edhe në kreditim më të ulët.

 

Normat mesatare të interesit për kreditë e reja në lekë janë ngjitur kështu në 7.47%, nga 7.07% që ishin në shtator. E njëjta gjë vihet re edhe për ato në euro, duke u ngjitur në 4.74%, nga 4.61% që ishin gjatë muajit pararendës.

 

Sa i përket vetëm normave të interesit për kreditë e reja për individët në lekë ndërkohë, shifrat zinjalizojnë se janë ngjitur pranë nivelit më të lartë që prej dhjetorit të vitit 2015.

 

Në tetor këto norma janë gjitur pranë 8.4%, nga 7.7% që ishin në shtator. Në tetor të 2016-ës normat mesatare të interesit për individët fiksoheshin pranë 8.63%./Burimi: SCAN


Më të lexuarat