INSTAT: Vlera e eksporteve per vitin 2015 ra me 4.9 per qind
Muaji dhjetor i vuri vulën një viti negativ për eksportet shqiptare. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vlera e eksporteve për dhjetorin pësoi rënie me 7.7% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë, madje ra edhe më shumë kundrejt muajit Nëntor.
Kjo bëri që rënia e eksporteve për të gjithë vitin 2015 të arrinte në 4.9% kundrejt vitit 2014. Eksportet pësuan kështu rënien e parë vjetore pas gjashtë vitesh radhazi në rritje, duke vuajtur dobësinë e kërkesës dhe rënien drastike të çmimeve, sidomos në grupin e mineraleve. Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” regjistroi eksporte në vlerën e 64.5 miliardë lekëve, në rënie me 25% krahasuar me vitin e mëparshëm. Eksportet u mbështetën sidomos tek sektori i fasoneve, një shtyllë tradicionale e eksporteve shqiptare.
Grupi “Tekstile dhe këpucë” për vitin 2015 gjeneroi 90 miliardë lekë të ardhura nga eksportet, në rritje me afro 5% ndaj vitit 2014. Një tjetër grup që për vitin e kaluar solli një kontribut në rritje në eksporte ishte “Ushqime, pije dhe duhan”, që regjistroi rritje vjetore të eksporteve me 26%. Viti 2015 u mbyll me rënie të volumeve tregtare edhe në importe. Për Dhjetorin, importet ranë 2.2% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë, ndërkohë që i gjithë viti 2015 u mbyll me një rënie prej 1.4% ndaj vitit 2013.
Edhe në importe, rënia ka ardhur kryesisht nga grupi i mineraleve, që për vitin 2015 u tkurr me 33% ndaj vitit paraardhës. Defiçiti tregtar u rrit me afro 1% për Dhjetorin dhe për të gjithë vititn 2015 regjistroi vlerën e 301 miliardë lekëve, në rritje me 1.6% ndaj vitit 2014. Viti 2015 solli ndryshime të lehta në raportet me vendet partnere tregtare. Bashkimi Europian, ngelet partneri kryesor, por eksportet për vitin 2015 pësuan rënie me 7.5%, ndërkohë që rritje regjistruan eksportet drejt vendeve të Rajonit, kryesisht Kosovës dhe Maqedonisë dhe drejt tregjeve të tjerë.