Secondary Adv

Liberalizimi i vizave per Kosoven, ambasadoret e BE japin driten jeshile

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian i kanë dhënë një shtysë procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

 

Të mërkurën e sotme ata janë pajtuar për t’i dhënë mandait Këshillit Evropian për të negociuar me Parlamentin Europian mbi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

 

Në vendimin e marrë, shpjegohet se lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur nga hyrja në fuqi e sistemit europian të udhëtimit ETIAS, që pritet të ndodhë në datën 1 nëntor të vitit 2023.

 

Në rast se do ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se 1 janari i vitit 2024. Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky tha se liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve që Kosova kishte bërë për kontrollin kufitar të vendit.

 

“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet.

 

Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, është shprehur Lipavsky.

 

Vendi i tij udhëheq presidencën e bllokut evropian dhe ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorët e BE-së.

 

Kosovës i është kërkuar që të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura që i kërkohen nga vendet anëtare, duke përfshirë edhe marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE që nuk i ka./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat