Secondary Adv

Vucic anulon pjesemarrjen ne samitin e BE ne Tirane

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e BE-së, që do të zhvillohet në Tiranë më datë 6 dhjetor.

 

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç reagoi me zemërim ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës.

 

“Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk e kanë dert sepse kjo është në interesin e një fuqie evropiane”,

 

u tha mediave në Beograd presidenti serb, duke theksuar se zoti Rashiç nuk e ka besimin e askujt në Kosovë, “por e ka besimin e (kryeministrit) Albin Kurti dhe perëndimit dhe mendojnë se kësisoj mund të frikësojnë serbët”.

 

“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzojë në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzojë. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor”, tha ai, duke shprehur zemërimin me siç tha “reagimin e butë të Bashkimit Evropian” ndaj emërimit të zotit Rashiç.

 

Ai iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili citohet të ketë thënë se “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës.

 

Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”. Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

 

Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës por jo edhe kthimin e punonjësve serb në institucione.

 

Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore./Burimi: VOA/Balkanweb


Më të lexuarat