Secondary Adv

Greqia do ndertoje terminal te ri te gazit natyror te lengshem, gati ne 2024

Greqia po kërkon të ndërtojë njësi të reja lundruese të magazinimit dhe rigazifikimit (FSRU), të cilat mund të jenë funksionale në vitin 2024.

 

Këtu janë informacionet për terminalin Revithoussa dhe projektet e tjera të planifikuara nga Greqia.  

 

Revithoussa

Terminali i vetëm operativ i Greqisë për rigazifikimin dhe magazinimin e gazit natyror të lëngshëm në ishullin Revithoussa pranë Athinës ka luajtur një rol të rëndësishëm në strategjinë e vendit për të evituar varësinë nga gazi rus dhe për të shtuar sigurinë e furnizimeve përpara dimrit.

 

Greqia ka reduktuar importet e gazit rus duke i ulur ato deri tani me më shumë se 50%, falë rritjes së dërgesave nga prodhues të tjerë drejt Revithoussa, i cili është 5 milje (40 km) larg Athinës dhe mund të ruajë 225,000 metra kub gaz, si dhe të furnizojë 1,400 metra kub në orë.

 

FSRU në Aleksandroupolis

Gastrade, kompania në pronësi të familjes Copelouzos të Greqisë, po ndërton një FSRU e cila do të ankorohet rreth 18 kilometra larg portit verior grek të Aleksandoupolis, duke transportuar gaz në breg përmes një tubacioni 28 kilometra të gjatë.

 

Kjo FSRU pritet të transportojë gaz në Bullgari, si dhe në vende të tjera më në veri, pasi të fillojë operimin në fund të vitit 2023. Gastrade ka thënë se është duke ekzaminuar ndërtimin e një FSRU të dytë jashtë portit të Alexandroupolis.

 

FSRU në Volos

Mediterranean Gas planifikon të ndërtojë një FSRU në portin e Volos, në Greqinë qendrore.

 

Kjo kompani ka ftuar prodhuesit e gazit natyor të lëngshëm, tregtarët, konsumatorët e mëdhenj, përdoruesit industrialë dhe kompanitë detare dhe të transportit detar që të paraqesin interesin e tyre për kapacitetin e rezervimit deri më 19 dhjetor.

 

Ky objekt, i cili do të ketë një kapacitet vjetor rigazifikimi prej 5.2 miliardë metra kub, do të transportojë gaz në Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Rumani, Shqipëri, Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Synohet që objekti të fillojë të funksionojë në tremujorin e dytë të vitit 2023.

 

FSRU në Korinth

Dioriga Gas, një njësi e kompanisë greke Motor Oil, synon të fillojë ndërtimin e një objekti të FSRU në Agioi Theodori, pranë Athinës, në tremujorin e katërt të vitit.

 

Ai do të ketë një kapacitet magazinimi deri në 210,000 metra kub gaz, i cili ose do të rigazifikohet dhe do të eksportohet përmes rrjetit të gazit të Greqisë, ose do të shitet si gaz natyror i lëngshëm nëpërmjet anijeve dhe kamionëve.

 

FSRU në Selanik

Elpedison, një sipërmarrje e përbashkët nga kompania italiane Edison dhe Helleniq Energy, dëshiron të ndërtojë një FSRU në qytetin verior të Selanikut, i dyti më i madh i Greqisë, deri në vitin 2025.

 

Ai do të ketë një kapacitet për të ruajtur 170,000 metra kub gaz dhe mund të furnizojë deri në 20 milionë metra kub gaz në ditë./Burimi: Reuters/Monitor


Më të lexuarat