Secondary Adv

Rindertimi ne Durres, punimet perfundojne ne pranveren e 2023

Bashkia e Durrësit ka avancuar me procesin e rindërtimit, teksa brenda qytetit shumica e punëve kanë përfunduar.

 

Të pyetur nga “Monitor” lidhur me ecurinë e procesit, përfaqësues të Bashkisë dhanë informacion mbi ecurinë e procesit në Manzë, Spitallë, apo edhe sa u takon rikonstruksioneve të bëra nga vetë qytetarët. Bashkia nënvizoi se tashmë ka mbyllur punimet për objektet arsimore.

 

Por si paraqitet panorama sot tre vite pas tërmetit?

Për sa u përket objekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, me nivel dëmi DS1-DS5 janë: DS1-2621; DS2-1826; DS3-1388; DS4-955; DS5-349

 

Aktualisht kanë përfunduar punimet e riforcimit për 10 objekte, me nivel dëmi DS4, 431 banesa individuale, 9 pallate në sitin e Manzës dhe 3 pallate në qytet.

 

Punimet e brendshme që kanë bërë qytetarët kanë qenë punime të thjeshta të brendshme, që kanë konsistuar në, pajisje hidrosanitare, shtrime pllakash etj., për të cilat nuk ka qenë i nevojshëm mekanizmi kontrollit.

 

Lidhur me procesin e rindërtimit, Bashkia e Durrësit ka në proces 37 objekte arsimore (përfitues 15,169 nxënës dhe fëmijë), nga të cilat 18 kanë përfunduar (përfitues 7973 nxënës dhe fëmijë) dhe 19 janë në proces (përfitues 7196 nxënës dhe fëmijë) si më poshtë:

 

28 objekte arsimore në Rindërtim (përfunduar 15 objekte); 9 objekte arsimore në Rikonstruksion/Riforcim (përfunduar 3 objekte); 2 çerdhe; 7 kopshte; 16 shkolla 9-vjeçare; 10 shkolla të mesme; 2 konvikte

 

“Për sa i përket projektimit të ndërtesave apo prokurimit të ndërtimit, nga Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës Publike, Bashkia e Durrësit, është kërkuar fond projektimi pranë Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, për 43 pallate me nivel dëmi DS4.

 

Me miratimin e fondeve të projektimit, zhvillohet procedura e prokurimit publik për përzgjedhjen e subjektit që do të hartojë projektet e përforcimit.

 

Më tej, për objektet që do të përforcohen, kërkohet fond pranë Ministrisë përkatëse për të vijuar më tej me procedurën e prokurimit publik për përzgjedhjen e subjektit që do të kryejë punimet e përforcimit (kjo procedurë është ndjekur me objektet e mëparshme)” thuhet në informacionin e dërguar nga Bashkia.

 

Rindërtimi në zonën e Spitallës

“Projekti është i ndarë në 7 lote. Aktualisht po punohet për të gjitha lotet. Loti i parë, ku janë gjithsej 15 pallate dhe 156 apartamente në fazë rifiniturash.

 

Në tre lotet e tjera janë në fazën konstruksion betonarme dhe ndërtim murature, janë 40 godina dhe 444 apartamente. Në tre lotet e tjera jemi në fazën konstruksion themeli plus strukturë, janë 30 godina dhe 396 apartamente.

 

I gjithë siti i ri do të ketë 85 pallate të reja 4-katëshe me 996 apartamente gjithsej. Qëllimi është që punimet të përfundojnë brenda pranverës së vitit 2023.

 

Sfida e Bashkisë së Durrësit ishte shndërrimi i një zone periferike dhe të margjinalizuar në një lagje model për qytetin e Durrësit, e cila do t’u ofrojë banorëve të saj jo vetëm akomodim, por edhe infrastrukturën e nevojshme, sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm në zonë dhe në objekte.

 

Kjo po realizohet, duke orientuar zhvillimin përmes objektivave të mëposhtëm:

Rimëkëmbje e infrastrukturës ekzistuese, duke forcuar dhe duke krijuar lidhje të reja infrastrukturore.

 

Krijimi i qendërzimeve lokale me anë të realizimit të objekteve të reja social-kulturore dhe arsimore që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së komuniteteve aktuale dhe të popullsisë të re që do të vendoset në zonë. Aplikimi i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në zonë dhe objekte”, – nënvizon Bashkia.

 

Lidhur me ecurinë e përgjithshme të kostove që kanë pësuar lëndët e para dhe nëse kjo ka ndikuar në punën e bashkisë për rindërtimin, theksohet se me rritjen e energjisë dhe karburantit për vitin aktual nuk ka pasur ndryshime në planifikimin e fondeve.

 

Në total, Bashkia sjell në vëmendje se, në bazë të vendimeve të Këshillit të Ministrave, fondet që i alokohen Bashkisë së Durrësit si njësi zbatuese për rindërtimin, duke filluar nga viti 2020 e deri më sot janë 15.6 miliardë lekë. Nga këto janë çelur në thesar për 9.6 miliardë lekë.

 

“Brenda vitit 2023 duhen çelur edhe diferenca prej rreth 6 miliardë, që të mbyllet financimi i plotë i Vendimeve të Këshillit të Ministrave që ngarkojnë Bashkinë si njësi zbatuese”, – thekson Bashkia e Durrësit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bashkia-e-durresit-punimet-perfundojne-ne-pranvere-2023-2/


Më të lexuarat