IKMT shembi dje Prestige Resort, sot pritej vendimi nga Gjykata
“Prestige Resort” u hodh dje në erë me 70 kg eksploziv, një ditë para se Gjykata Administrative të jepte vendimin.
Këto janë pamjet kur hoteli 7-katësh hidhet në erë, ndërsa pas mbetën vetëm shtëllunga tymi dhe inerte. Aksioni për shembjen nisi që të enjten në mëngjes, kur fadromat prishën pjesën e restorantit, ndërkohë që në kollonat e ndërtesës u hapën vrimat për venien e dinamitit të përdorur.
Në muajin shtator, autoritetet ndërhynë për herë të parë duke prishur pishinat, të cilat, siç bënë me dije në atë kohë, kishin qenë pa leje. Për ndërhyrjen e fundit, përfaqësuesit e kompanisë deklaruan se nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak apo të ishin në dijeni të ndonjë vendimi për prishjen e kompleksit.
Ndonëse u bë ankimim në Gjykatën administrative, për të kërkuar ndërprerjen e veprimeve të Inspektoriatit, çështja nuk u arrit të merrej në shqyrtim, pavarësisht urgjencës së rastit.
Kujtojmë se ditën e sotme gjykata Administrative do të shqyrtonte kërkesën për avokatëve të Prestige Resort për pezullimin e shembjes./Burimi: BalkanWeb