Secondary Adv

Banka e Shqiperise pritet te rrise serish normen baze te interesit

Banka e Shqipërisë po shkon drejt një tjetër rritjeje të normës bazë të interesit.

 

Guvernatori Gent Sejko garanton se kjo nuk do të shkaktojë rezesion, ndërsa theksoi objektivin për ruatjen e stabilitetit të çmimeve në këtë situatë delikate të ekonomisë globale.

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëron rritjen e mëtejshme të normës bazë të interesit, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik, në kushtet e një inflacioni të lartë të shkaktuar nga Lufta në Ukrainë.

 

Ai garantoi se kjo rritje nuk do të çonte në recension, teksa theksoi edhe njëherë se prioritet është ruajtja e stabilitetit të çmimeve.

 

“Më e rëndësishmja, projeksionet tona, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recension. Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm.

 

Në këtë drejtim, rritja aktuale e normës bazë të interesit, e cila ka për qëllim të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të ankorojë pritjet për inflacionin, është njëkohësisht një masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë, por edhe sektorin privat e individët nga efektet negative të tij.

 

Kjo është veçanërisht e vërtetë dhe e rëndësishme për shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilat janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë e të qëndrueshëm”- tha Sejko.

 

Qëndrimin, Sejko e bëri publik në një aktivitet të organizuar me qeverinë zvicerane, ku u prezantuan disa nga gjetjet e kërkimeve të realizuara nga Banka e Shqipërisë për hartimin e politikave të reja monetare.

 

Banka e Shqipërisë gjatë 2022 ka rritur pesë herë normën bazë të interesit, duke e çuar në nivelin 2.75%, nga 2.25% që u vendos në 2 nëntor 2022, teksa pritet mbledhja e rradhës e Këshillit Mbikëqyrës për muajin dhjetor. Në muajin tetor inflacioni ishte në masën rekord 8.3%./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat