Secondary Adv

80 milione USD per projektin e vijes bregdetare te Jonit dhe Vjosen

Ministria e Turizmit ka përfunduar hartimin e një projekti i cili përfshin në vetvete dy nga pikat më tërheqëse turistike në vend, vijën bregdetare të Jonit dhe lumin Vjosa.

 

Projekti që është nxjerrë në faqen e konsultimeve parashikon një financim prej 80 milionë dollarësh për të zbatuar të paktën katër komponentë.

 

Paketa e dokumenteve plotësuar nga ministria duket se do t’i shërbejë asaj për të marrë financim nga institucionet financiare ndërkombëtare ndërkohë që agjenci zbatuese do të jetë Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve te Ngurta.

 

Dokumenti përmbledhës argumenton se vija bregdetare e Jonit dhe pjesa e brendshme jugore që përfshin lumin Vjosa ofrojnë një propozim tërheqës me vlerë turistike për sa i përket vijave të pacenuara bregdetare, lumenjve, maleve, zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.

 

“Megjithatë, që produkti turistik të mbetet tërheqës për sa i përket ofrimit të “deteve blu” dhe “lumenjve të pastër”, duhet të ofrohen shërbime publike si menaxhimi i mbetjeve dhe trajtimi i ujerave te zeza për të ndihmuar ruajtjen e cilësisë se aseteve të rajonit.

 

Himara, Saranda dhe qendrat e tjera turistike përgjatë bregdetit po përballen me probleme që lidhen me menaxhimin e mbetjeve bashkiake, si dhe me mbeturinat plastike.

 

Për të ruajtur atributet natyrore të lumit Vjosa përgjatë gjithë rrjedhës së tij dhe rrjedhimisht vlerën e tij si atraksion turistik dhe statusin si zonë e mbrojtur e rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndotja e ujit duhet të menaxhohet, veçanërisht nga shkarkimet e ujërat e zeza te pa trajtuara dhe burimet e tjera te ndotjes si sedimentet dhe plehrat organike” thuhet në dokument.

 

Por cilët janë komponentët e parashikuar në projekt dhe vlera e secilit prej tyre?

Komponenti 1:

 

Promovimi i qasjeve të integruara dhe qarkulluese për menaxhimin e mbetjeve të ngurta (kostot e vlerësuara 20 milionë USD).

Nënkomponenti 1.1: Menaxhimi i mbetjeve ndërtimore/inerte.

 

Nënkomponenti 1.2: Menaxhimi i mbetjeve të ngurta bashkiake me fokus në reduktimin e rrjedhjeve të mbetjeve plastike.

Nënkomponenti 1.3: Sisteme të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve dhe kalimi në një ekonomi qarkulluese.

 

Komponenti 2:

Përmirësimi i cilësisë së ujit në lumin Vjosa (kosto e vlerësuar 46 milionë USD).

 

Projekti do të mbështesë investimet dhe mbështetjen teknike për të reduktuar ndikimet negative të ndotjes nga burimet e përqendruara të ndotjeve te shkaktuara nga pikat e shkarkimeve te ujërave te zeza të pa trajtuara dhe rrjedhjet e ujërave të shirave

 

si dhe nga burimet difuze te ndotjes qe vjen si rrjedhoje e sedimenteve dhe përdorimit te plehrave organike dhe që paraqesin kërcënime të rëndësishme për ekosistemet ujore.

 

Nënkomponenti 2.1: Zgjerimi i infrastrukturës për trajtimin e ujërave te ndotura

Nënkomponenti 2.2: Përmirësimi i impianteve të trajtimit dhe menaxhimit të ujërave të zeza.

Nënkomponenti 2.3: Reduktimi i ndotjes nga burimet difuze.

 

Komponenti 3.

Promovimi i iniciativave të qarkullimit dhe reduktimit të ndotjes (kostot e vlerësuara 10 milion USD).

 

Sipas këtij komponenti, projekti do të financojë grante dhe mbështetje teknike për të përmirësuar performancën në reduktimin e ndotjes nga mbeturinat e ngurta dhe ujërat e zeza nëpërmjet stimujve për ndryshimin e sjelljes dhe miratimit të teknologjive inovative,

 

duke lehtësuar kalimin nga një sistem linear i cenueshëm ndaj klimës në një sistem më rezistent ndaj klimës dhe sistemi qarkullues i prodhimit dhe konsumit.

Nënkomponenti 3.1: Grantet mjedisore për reduktimin e ndotjes lokale dhe mbrojtjen e ujit.

Nën-komponenti 3.2: Grant mbështetje dhe rritje.

 

Komponenti 4.

Menaxhimi dhe Koordinimi i Projektit (kostot e parashikuara 4 milion USD).

 

Ky komponent do të financojë menaxhimin e projektit dhe kostot e tjera shtesë, prokurimin e konsulentëve, trajnimin, pajisjet, menaxhimin financiar dhe raportimin;

 

monitorimin dhe vlerësimin e studimeve dhe anketave, menaxhimin e njohurive si dhe aktivitetet e nevojshme për të siguruar përputhjen me kuadrin mjedisor dhe social të Bankës Botërore.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/projekt-80-milione-usd-per-vijen-bregdetare-te-jonit-dhe-vjosen/


Më të lexuarat