Secondary Adv

Pas 4 muajsh ne renie, rritet ne nentor besimi ne ekonomi

Treguesi i ndjesisë ekonomike iu kthye rritjes në nëntor, pasi kishte rënë për katër muaj radhazi.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve u rrit me 2 pikë në muajin nëntor dhe aktualisht qëndron 2.3 pikë mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimi i këtij treguesi u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve.

 

Gjithashtu, përmirësimi i besimit konsumator dhe atij në sektorin e tregtisë ndikuan pozitivisht rritjen, megjithëse në një masë më të vogël. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë regjistroi rënie në muajin nëntor.

 

Treguesi i besimit në ndërtim regjistroi rritje me 5.8 pikë përqindje në muajin nëntor. Ky zhvillim u përcaktua nga vlerësime më optimiste për porositë aktuale në ndërtim, si dhe për punësimin në të ardhmen.

 

Vlerësimi për aktivitetin aktual në sektorin e ndërtimit regjistroi gjithashtu rritje, por në një masë më të vogël se komponentët e tjetër. Rritje të lehtë kanë pësuar dhe pritjet për çmimet në të ardhmen.

 

Treguesi i besimit në shërbime shënoi një kthesë pozitive, duke u rritur me 3.2 pikë përqindje në muajin nëntor, pasi kishte shënuar rënie gjatë katër muajve paraardhës. Rritja u ndikuar nga vlerësime pozitive, si për ecurinë aktuale të biznesit ashtu edhe për nivelin e kërkesës.

 

Vlerësimet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e punësimit nuk kanë ndryshime të ndjeshme nga muaji i kaluar. Por, pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen regjistruan rënie.

 

Treguesi i besimit në tregti shënoi rritje të lehtë me 0.5 pikë përqindje. Bizneset e tregtisë vlerësuan më pozitivisht ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe presin rritje të lehtë të punësimit.

 

Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar në rënie. Treguesi i besimit konsumator rezultoi me rritje të lehtë në muajin nëntor, duke reflektuar përmirësime të vogla në të katër komponentët përbërës:

 

pritjet për situatën ekonomike e financiare si dhe vlerësimi për blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen. Pritjet për papunësinë dhe nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë këtë muaj.

 

I vetmi sektor që shënoi rënie në treguesin e besimit ishte ai prodhues. Treguesi i besimit të industrisë ra me 3.8 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar si nga vlerësimet më pesimiste për prodhimin aktual ashtu edhe nga vlerësimet në rënie për kontratat porositëse.

 

Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin në të ardhmen regjistruan një rritje të lehtë. Edhe në industri pritjet për çmimet janë në rënie këtë muaj./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/besimi-ne-ekonomi-i-kthehet-rritjes-pas-kater-muajsh-ne-renie/


Më të lexuarat