Secondary Adv

Energjia shtrenjton prodhimin me 21 per qind, edhe cmimet e importit ne rritje

Çmimet e prodhimit dhe të importit vijojnë në një tendencë në rritje edhe përgjatë tremujorit të tretë, sipas shifrave më të fundit nga “Instituti i Statistikave”.

 

Të dhënat tregojnë për një rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit me 20.9% dhe të çmimeve të importit me 8.1%. Kështu, përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 124,7 pikë (me vitin 2020 si periudha bazë).

 

Krahasuar me tremujorin e tretë 2021, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit ka shënuar një rritje prej 20,9%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 1,8%. Shifrat tregojnë se grupi i cili ka ndikuar më shumë në rritje e çmimeve të prodhimit është “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”.

 

Krahasuar me tremujorin e tretë 2021 ky seksion është rritur me 39.4%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar rritje me 17,0%.

 

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 31,4%, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 28,5%.

 

Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 3,8 %, pasuar nga aktiviteti “Prodhimi i paisjeve elektrike” me 2,5 %.

 

Nëse do të flisnim për “Industrinë Nxjerrëse” të dhënat tregojnë se krahasuar më një vit më parë indeksi i çmimeve në këtë seksion është rritur me 29.4%. Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e tretë të vitit 2022, arriti 111,5 kundrejt vitit 2020.

 

Krahasuar me tremujorin e tretë 2021, indeksi i çmimeve të importit shënoi një rritje me 8,1%, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 3,3%. Nëse do ta krahasonim me tremujorin e dytë 2022 indeksi regjistron një rënie me 0,6%.

 

Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritjen më të lartë me 39,9%.

 

Indeksi në seksionin “Industri nxjerrëse” shënoi një rritje me 11,8%, krahasuar me një vit më pare, ndërsa indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 91,4% shënoi një rritje me 6,5%.

 

Brenda seksionit të industisë përpunuese rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 14,2%, pasuar nga “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 12,1%, “Metalurgjia” me 11,6%./Burimi: SCAN


Më të lexuarat