Secondary Adv

Marreveshja, mbi 100 mln euro grante nga BE dhe Gjermania per Kosoven

Kosova ka nënshkruar marrëveshje financimi në vlerë mbi 100 mln euro për zbatimin e projekteve për trajtimin e Ujërave të Zeza me Kfw-në dhe BE.

 

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.

 

“Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.

 

Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga qeveria franceze, me ç ‘rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë.

 

Për realizimin e këtij projekti, qeveria gjermane përmes Kfw-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”, thuhet në njoftim.

 

Tutje bëhet e ditur se projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

 

Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftim për këtë projekt, qeveria gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA.

 

“Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe Komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”.

 

Gjatë fjalës së tij, ambasadori gjerman në Kosovë Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.

 

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE në Kosovë, Staebek Madsen, tha se: “Përmes këtyre marrëveshjeve BE së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.

 

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

 

Ai tha se: “Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm.

 

Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”.

 

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se “Projektet që po nënshkruajmë sot në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

 

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se: “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE,

 

do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtërishme”. /Burimi: Telegrafi


Më të lexuarat