Secondary Adv

Hyn ne fuqi ligji per hapjen e dosjeve te ish Sigurimit te Shtetit

Ka hyrë në fuqi ligji që mundëson pas 32 vitesh hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimin e politikanëve.

 

Ndryshimet në ligjin NR. 45/2015 për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit u miratuan në 22 tetor 2022 në Kuvend, me konsensusin e PS-së dhe PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

 

Ndryshimet u dekretuan nga Presidenti Bajram Begaj në 11 nëntor 2022, duke u botuar në Fletoren Zyrtare në 6 ditë më pas, në 17 nëntor 2022. Ndryshimet e rëndësishme kanë hyrë në fuqi dy javë më pas, duke i hapur rrugën Autoritetit të Dosjeve për zbatimin e parashikimeve të reja.

 

Ku konsistojnë ndryshimet dhe çfarë pasojash sjellin?

Hiqet mburoja për politikanët dhe pushtetarët e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i tyre për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit.

 

Tashmë çdo kandidat për t’u zgjedhur deputet apo kryetar bashkie, do të verifikohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani.

 

Heqja e kësaj mburoje u kërkuar nga vetë Autoriteti i Dosjeve, pas pretendimeve se Ilir Meta kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji ndalonte një verifikim të plotë dhe shterues. Ilir Meta ka mohuar pretendimet e Autoritetit të Dosjeve për bashkëpunim me ish Sigurimin e Shtetit.

 

Debati nëse Meta kishte qenë apo jo spiun i ish Sigurimit të Shtetit dominoi politikën gjatë muajve gusht-shtator të këtij viti. Tashmë ndryshimet ligjore i japin mundësi Autoritetit të Dosjeve zbulimin e të vërtetës.

 

Por, ndryshimi më i rëndësishëm, i cili çuditërisht ka kaluar pa vëmendjen që meriton, konsiston në deklasifikimin e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pra në hapjen e dosjeve.

 

Në nenin 44 të ligjit 2015, janë shtuar dy pika, përkatësisht pikat 4 dhe 5, duke vendosur deklasifikimin e të gjitha dokumenteve ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991.

 

Nuk do të zbulohen vetëm dokumentet që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare.

 

Po kush mund të ketë akses në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit?

Për këtë pikë ka pasur diskutime dhe polemika në Komisionin e Ligjeve. Në fund është vendosur që kopje nga dosjet e ish Sigurimit të Shtetit mund të kërkohet në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, por me disa kufizime.

 

Së pari, kërkuesi duhet të japë informacion se ku mund të ndodhet dosja. Së dyti, duke të argumentojë interesin e tij për të pasur akses dosjen përkatëse dhe së treti kërkuesi nuk duhet të keqpërdorë informacionin që ka marrë. 

 

“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.

 

Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni.

 

Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në ndryshimet në ligjore./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat