Nisin punimet per Lungomare 3, 20 km nga Uji i Ftohte deri ne Orikum
Punimet për Lungomare 3 nisën këtë të martë.
Rreth 20 km do të ndërtohen nga tuneli i ujit të ftohtë deri në Orikum. Nisja e punimeve u ndoq nga Ministria e Turizmit, Mirela Kumbaro dhe drejtuesi politik i PS për qarkun Vlorë, deputeti Blendi Klosi. Ata prezantuan detaje të projektit.
Projekti synon të rrisë standardet e ofrimit të shërbimeve në zonën e plazhit, përbri rrugës e cila do të rehabilitohet e gjitha, përfshirë ndërtimin e një piste për biçikleta, një trotuari për këmbësorë dhe ndërtimin e parkingjeve me kapacitet 500 vende.
Kësaj i shtohet dhe rehabilitimi i lulishteve ekzistuese dhe ndërtimi i të rejave, ndërtimi i objekteve për shërbime publike dhe pajisja e tyre me shërbimet bazë, përkatësisht ujë, energji elektrike dhe kanalizime.
Projekti do të shërbejë në rritjen e nivelit tregtar dhe ekonomik, uljen e kostove të transportit, mbështetjen e mundësive jetike për punë direkte dhe indirekte, si dhe përmirësimin e shëndetin publik të përfituesve.
Projekti synon të arrijë dhe një sërë objektivash rreth zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë objektivat nr. 11, 15 dhe 17 që kanë të bëjnë me krijimin e qyteteve dhe komuniteteve të qëndrueshme, përmirësimin e jetesës, si dhe forcimin e partneriteteve zhvillimore për të përmbushur objektivat.
Gjatë viteve të fundit, krahas këtij projekti, Fondi ka dhënë edhe katër kredi zhvillimore për financimin e tre projekteve zhvillimore me vlerë mbi 114.5 milionë dollarë, me qëllim zhvillimin e sektorit të infrastrukturës dhe arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.
Punimet për Lungomare 3, do të përfundojnë para verës të vitit 2024./Burimi: abcnews.al