Taksa mbi pasurine ka evazion te larte fiskal, 96 milion lek me pak se planifikimi
Taksimi mbi pasuritë rezulton me evazionin të lartë fiskal edhe për shkak të informalitetit që shoqëron sektorin.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa e pasurisë mblidhen nga pushteti vendor dhe nuk kanë qënë në masën e planifikuar. Kështu për vitin e kaluar janë mbedhur në buxhetin e shtetit nga kjo taksë vetëm 3.9 miliardë lekë ose 96 milion lekë më pak se planifikimi. Por a është mbledhur deri tani taksa e pasurisë nga pushteti vendor, dhe a ka kapacitete për ta mbledhur atë?
Referuar viteve të mëparshme konstatojmë se taksa e ndërtesës, akoma nuk është përvetësuar nga “kultura fiskale” e pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Edhe pse ndërtimi mori një hov të madh zhvillimi pas viteve ’90, shumica e tyre janë ndërtuar pa leje, çka do të thotë se nuk janë të regjistruara dhe si pasojë nuk mund të paguajnë një taksë të tillë.
Janë ndërmarrë një sërë politikash dhe ngritur institucione, që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në gjithë këto vite, duke sjellë dhe “mungesën” e fondeve nga taksa të tilla në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga taksa e ndërtesës është hedhur ideja që në faturën e energjisë apo ujit të konsumatorëve, mund t’u bashkangjiten si detyrim për t’u paguar edhe taksa për banesat. Pavarësisht debateve dhe qendrimeve të ndryshme, në këtë pikë kampet politike janë bashkuar, rreth nevojës së mbledhjes së kësaj takse, si një burim i pashfrytëzuar në 23 vitet e fundit.
Por duke patur parasysh mos mbledhjen e kësaj takse, në një kohë kur ndërtimi gjatë viteve të fundit ka qënë dhe sektori më i zhvilluar, lë shumë hije dyshimi që evazioni në këtë pikë është i madh. Në Janar të vitit 2015 Ministria e Ekonomisë u kërkoi të gjitha ministrive dhe enteve publike të propozonin zhvillimin e shërbimeve dhe investimeve kapitale nëpërmjet formës koncensionare me Partneritet Publik Privat (3P). Ndërkohë mësohet se Ministria e Financave në atë kohë ka propozuar partneritetin publik privat për administrimin e taksës së pronës.
Por sipas këtij dikasteri kësaj do t’i shërbente edhe krijimi i bazës për informatizimin e taksave të reja të pronës që merr në konsideratë krijimin e një kadastre fiskale. Kjo do të përmbajë të gjitha të dhënave ekzistuese mbi truallin, ndërtesat dhe pronarët/ banorët, dhe për të llogaritur detyrimin tatimor vjetor të shoqëruar me secilën pronë. Por a është momenti i duhur për ta dhënë edhe mbledhjen e kësaj takse me PPP, në një kohë kur problemet e pronave në vendin tonë janë të medha?