BE nuk arrin marreveshje per paketen e 9 te sanksioneve ndaj Rusise
Vendet anëtare të BE nuk arritën të bien dakord për një paketë të 9 të sanksioneve ndaj Rusisë në bisedimet e zhvilluara të mërkurën, thanë diplomatët.
Vendet iu afruan një marrëveshjeje në negociatat e së mërkurës, por Polonia dhe disa vende të tjera kanë ende kundërshtime, tha një diplomat i BE për Reuters, duke shtuar se një draft i ri pritej të qarkullonte të enjten në mbrëmje.
Sanksionet e reja ndaj Moskës janë penguar nga mosmarrëveshja nëse BE-ja duhet ta lehtësojë kalimin e eksporteve ruse të plehrave nëpër portet evropiane, edhe në rastin kur kompanitë e plehrave janë në pronësi të oligarkëve të listës së zezë, shkruan The Guardian.
Disa thonë se kufizimet e BE-së përbëjnë një kërcënim për sigurinë ushqimore për vendet në zhvillim, ndërsa të tjerë argumentojnë se lehtësimi i tyre do të lejonte oligarkët rusë që zotërojnë biznese plehrash të shmangin sanksionet e BE kundër tyre, transmeton abcnews.al.
Një diplomat i BE-së tha se Polonia dhe shtetet baltike po u thonë vendeve të tjera se po mashtrojnë veten nëse mendojnë se lehtësimi i kufizimeve për plehrat ruse nuk do të abuzohet si një shteg për oligarkët.
Disa shtete anëtare duan që Programi Botëror i Ushqimit të përfshihet në autorizimin për eksportet e plehrave në vendet që kanë nevojë për të./Burimi: abcnews.al