Secondary Adv

Kosova me investitor te ri strategjik, pritet investimi i 45 milione eurove

Kosovës pritet t’i shtohet një investitor i huaj, që ka peshën e investimit 45 milionë euro.

 

Qeveria tashmë ka proceduar në Kuvend që ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’ – të jetë Investitor Strategjik.

 

Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës vendimin për shpalljen e kompanisë ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’ – Investitor Strategjik i Kosovës. Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

 

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për konfirmimin e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës të vendimin e Qeverisë Nr. 13/50 të datës 21 dhjetor 2020 për dhënien e Statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’”, thuhej në propozim-vendimin e qeverisë.

 

Propozimi është miratuar me shumicë të votave në mbledhjen e qeverisë. Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.

 

Propozimi për shpalljen e kësaj kompanie “investitore strategjike” ishte realizuar për herë të parë në vitin 2020 nga Qeveria e Kosovës, në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

 

Kurse, gjatë vitit 2021, 485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma prej 485.4 milionë euro e investuar në Kosovë ndahet në disa kategori.

 

Sipas aktivitetit ekonomik, del se pjesën dërrmueshëm më të madhe të saj e përbëjnë “Aktivitetet e patundshmërisë” me 335.7 milionë euro. Bëhet fjalë pra për blerje banesash dhe tokash si pronë private, e ku kryefjala janë mërgimtarët tanë.

 

Në vend të dytë kemi “Aktivitete financiare dhe të sigurisë” në vlerë prej 102.4 milionë eurosh. Ndërsa i treti për nga vlera e investuar renditet sektori i “Informacion dhe komunikim”, me vlerë të papërfillshme prej 16.1 milionë eurosh.

 

Kategoritë e tjera kanë vlerë investimi nën 10 milionë përgjatë një viti. Ndryshe, ndër sektorët të cilët konsiderohen se mund të gjenerojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, janë: sektori i prodhimit, bujqësisë, minierave, transportit dhe telekomunikacionit, industrisë përpunuese dhe turizmit, etj.

 

Mirëpo në këta sektorë nuk ka investime dhe për këtë ministria e Tregtisë nuk ka pasur përgjigje deri në momentin që është botuar ky shkrim.

 

Këta sektorë ballafaqohen me vlera shumë të ulta të investimeve të huaja direkte në sektorin e prodhimit, e cila është vetëm 2.9 milionë euro dhe ajo e sektorit të bujqësisë, pylltarisë e peshkatarisë që arrin vetëm 1.1 milionë euro investime për vitin 2021.

 

Gjermania është lider i investimeve të huaja në Kosovës. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe diaspora më e madhe kosovare në Evropë. Vlera e investimeve të ardhura nga Gjermania ishte 139.5 milionë euro nga totali prej 485.4 milionësh.

 

Pas saj renditet Zvicra me 88.7 milionë euro, e që është diaspora e dytë më e madhe kosovare në Evropë.

 

Sipas raportit të BQK-së, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë në nivel thuajse të ngjashëm me vlerën e investimeve në Kosovë, me 51.2 milionë euro nga Austria dhe 51 milionë euro nga SHBA.

 

Pas këtyre vijnë shtetet si Shqipëria me 39.5 milionë euro investime në Kosovë, Sllovenia me 23.2 milionë, Turqia me 13.6 milionë, dhe shtete e tjera me investime nën 10 milionë euro.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kosova-behet-me-investitor-te-ri-strategjik-pritet-investimi-i-45-milione-eurove/


Më të lexuarat