Vucic: Kosova shkeli Marreveshjen e Uashingtonit, ja cfare kerkojme
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkel Marrëveshjen e Uashingtonit.
Më 15 dhjetor, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Ne do t’i përgjigjemi të gjitha këtyre sonte, pas mbledhjes së Qeverisë.
Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete”, tha Vuçiq për gazetarët më 15 dhjetor, gjatë një vizite në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë.
Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës i referohet Vuçiqit, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë memorandumin. Vuçiq tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE.
“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.
Nga 27 shtetet e BE-së, pesë prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova po ashtu ende nuk është anëtare e OKB-së. Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008.
Ndërkaq, zyrtarët në Serbi kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen KFOR-it më 15 dhjetor me kërkesën për dislokimin e trupave ushtarake dhe policore në Kosovë. Serbia ka argumentuar se dërgimi i trupave në Kosovë i lejohet në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Kosova ka kundërshtuar këtë pretendim të Serbisë, duke thënë se ushtarët dhe policët serbë nuk mund të dislokohen në shtet./Burimi: Balkanweb