FMN shtyn miratimin e kredise prej 73.8 milion euro
Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka miratuar në janar dy këstet e kredisë për Shqipërinë, ashtu siç ishte parashikuar. Shkak për shtyrjen e vendimit mund të jetë bërë përjashtimi i biznesit të vogël nga taksat, reformë për të cilën FMN nuk ka dhënë mendimin “pro”.
“Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e pestë dhe të gjashtë të programit në fillim të vitit 2016. Aprovimi i shqyrtimeve do të mundësonte lëvrimin e 57,8 milionë SDR (rreth 73,8 milionë euro)”, theksohet në marrëveshjen në nivel stafi për përfundimin e shqyrtimit të pestë dhe të gjashtë të programit për Shqipërinë, më 10 nëntor 2015. Programi 36-mujor për Shqipërinë është miratuar më 28 shkurt 2014 dhe shoqëronte huan prej 330.9 milionë euro.
Në konferencën e përbashkët të nëntorit, përpara largimit nga Tirana të misionit të radhës së FMN-së u bë e ditur se miratimi nga bordi drejtues i FMN-së i dy kësteve do të ndodhte në janar të 2016-s. Gjatë janarit, bordi ekzekutiv i FMN-së ka mbajtur shtatë takime për të miratuar dokumente vlerësimi për shtete të ndryshëm, por Shqipëria nuk figuron. Edhe në mbledhjen e 5 shkurtit, vendi ynë nuk është përfshirë në axhendë dhe bordi pritet të fokusohet në shtete si Zelanda e Re, Santa Luçia dhe Fixhi.
Lëvrimi i kësteve, megjithëse një marrëveshje e miratuar, do të kërkojë kohë shtesë për të shqyrtuar nëse buxheti dhe paketa fiskale 2016 të miratuara nga qeveria, janë në përputhje me kushtet. “Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e pestë dhe të gjashtë të EFF-së”, deklaroi misioni më 10 nëntor. “Konsolidimi fiskal pritet të vazhdojë në vitin 2016. Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësojë përmbushjen e detyrimeve tatimore nga subjektet dhe të zgjerojë bazën tatimore për të mbështetur konsolidimin fiskal dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit në periudhën afatmesme, duke krijuar në të njëjtën kohë hapësirë fiskale për shpenzime produktive”, theksonte deklarata e FMN-së.