Secondary Adv

Bundesbank parashikon recesion dhe rritje te inflacionit ne Gjermani

Inflacioni në Gjermani ka të ngjarë të jetë më i lartë se sa mendohej më parë, ndërsa rritja ekonomike do jetë më e dobët me një recesion tashmë të sigurtë vitin e ardhshëm.

 

Bundesbank konfirmoi situatën në një përditësim dy-vjetor të parashikimeve të saj ekonomike. Parashikimet e reja pasqyrojnë rishikime të ngjashme me ato të bëra një ditë më parë nga banka qendrore europiane sipas të cilave inflacioni në zonën euro pritet të jetë mbi objektivin e saj prej 2% deri në vitin 2025.

 

Gjithashtu parashikohet dhe një recesion i cekët gjatë muajve të dimrit. Për Gjermaninë, inflacioni tani shihet në 7.2% në 2023-shin, shumë më lart se parashikimi i qershorit për 4.5%, ndërsa shifra e vitit 2024 u rrit në 4.1% nga 2.6%.

 

Parashikimet e rritjes konfirmojnë gjithashtu se Gjermania ka të ngjarë të jetë një nga performuesit më të dobët në bllokun e monedhës së përbashkët vitin e ardhshëm, pjesërisht për shkak të varësisë së saj të tepruar nga gazi natyror rus.

 

Në vitin 2023, ekonomia parashikohet të tkurret me 0.5%, një ndryshim i madh krahasuar me pritjet për një zgjerim prej 2.4% në qershor. Parashikimi i rritjes për vitin 2024 u ul në 1.7% nga 1.8% ndërsa në 2025-ën rritja shihet në 1.4%.

 

Ndërsa mungesa e gazit nuk pritet, kriza e energjisë do të nxisë inflacionin, do të ulë të ardhurat reale të disponueshme dhe do të pengojë konsumin e familjeve të paktën deri në mesin e vitit 2023, shtoi Bundesbank.

 

Çmimet e larta të energjisë do të rëndojnë gjithashtu prodhimin, veçanërisht në industritë me intensitet energjie. Nga gjysma e dytë e vitit 2023 e tutje, ekonomia gjermane do të rimëkëmbet gradualisht, tha Bundesbank.

 

Kjo për shkak se kërkesa e huaj pritet të rritet, pasiguria do të ulet, presionet e çmimeve nga mallrat e energjisë do të zvogëlohen dhe norma e inflacionit do të bjerë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat