Secondary Adv

Kosova miraton draftin e Strategjise per energjine 2022-2031

Qeveria e Kosovës ka miratuar Draftin e Strategjisë të Energjisë së Republikës së Kosovës 2022-2031.

 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që kjo strategji t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e mundësive të bizneseve e punësimit të të rinjve.

 

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka treguar se sektori i energjisë është mjaft kompleks dhe përballet me shumë për dekada të tëra krizë energjetike dhe lufta në Ukrainë vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.

 

Ajo ka bërë me dije se dokumenti aktualisht nuk parasheh ndërtimin e hidrocentraleve të reja.

 

“Duke marrë parasysh burimet e kufizuara ujore që i kemi si shtet si dhe dëmin ambiental që është bërë me projektet ekzistuese, Strategjia aktualisht nuk parasheh hidrocentrale të reja, mirëpo nuk e përjashtojmë mundësinë që,

 

pasi që Ministria e Mjedisit të ketë bërë një plan zhvillimor për sektorin e ujerave, nëse ka mundësi të ndërtohen kapacitete ujore, kjo do të shqyrtohet, por vetëm në një moment kur të jemi të sigurt që kjo është në përputhje me objektivat e ambientit”, është shprehur Rizvanolli.

 

Sipas saj Strategjia parasheh një sektor të energjisë ku qytetarët do të jenë të përfshitë në mënyra të ndryshme.

 

“Strategjia e Energjisë 2022-2031 vendos orientimet afatgjata të zhvillimit të sektorit të energjisë, vendos themelet për një sektor të energjisë të ri, më të pastër me efiçinet dhe një sektor ku qytetarët janë me të përfshirë,

 

të jenë pjesëmarrës aktivë, qoftë përmes vetëkonsumit, qoftë përmes informimit më të mirë dhe të qenit në gjendje për të marrë vendimet e duhura për kursimin e energjisë”.

 

Kurse, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian që garanton siguri të furnizimit të energjisë dhe përballueshmëri për qytetarët.

 

“Sot kemi një nga dokumentet më të rëndësishme këtë vit, strategjinë e energjisë 2022-2031. Sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji elektrike me kosto të përballueshme dhe të pastër është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies sociale të Kosovës.

 

Kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta dhe bindëse të sektorit të energjisë. Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian që garanton siguri të furnizimit të energjisë dhe përballueshmëri për qytetarët”, ka thënë Kurti.

 

Qeveria ka prezantuar pikat që me këtë strategji synohen të arrihen për disa vjet.

 

“Deri në fund të vitit 2031 parashihet të kemi 1600 MGW kapacitete të instaluara nga burime të ripërtëritshme të energjisë. Investimet në kapacitete bazë në thëngjill janë të domosdoshme për të rritur sigurinë e furnizimit në afat të shkurtër.

 

Bursa e përbashkët me Shqipërinë do të funksionalizohet në vitin që do hyjmë dhe bashkinvestimi në termocentralin me gaz natyror në Shqipëri tanimë është duke u shqyrtuar. Integrimi i sistemit elektroenergjetik i Kosovës në atë panevropian të energjisë planifikohet më së largu 2030”.

 

Vizioni i strategjisë është që të kemi një sektor energjetik të qëndrueshëm të integruar në tregun evropian deri në vitin 2030. Më këtë parashohim që të kemi deri në 1600 megavat të kapaciteteve të ripërtrishme.

 

Duke marr parasysh burimet ujit që kemi si shtet strategjia nuk parasheh hidrocentrale të reja. Rritja e efiçiencës së energjisë është një nga shtyllat kyçe.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/kosova-miraton-draftin-e-strategjise-per-energjine-2022-2031/)


Më të lexuarat