Secondary Adv

Ministria e mbrojtjes nxjerr ne shitje 40 avione dhe helikoptere

Ministria e Mbrojtjes nxjerr në shitje avionët dhe helikopterët e forcave ajrore të bazave të Kuçovës, Gjadrit, Kuçovës, Rinasit dhe Farkës. Çdo person apo kompani që ka interes të blejë një aeroplan ushtarak rus apo një helikopter transporti mund të regjistrohet në ankandin që është njoftuar se do të zhvillohet më 22 shkurt në Ministrinë e Mbrojtjes.


Mjafton që të ofrojë të paktën 1.1 milionë lekë (afro 8 mijë euro) dhe të bëjë një deklaratë që nuk do ta përdorë mjetin për qëllime ushtarake. Emërtimi i ankandit të rrallë është “Shitje avionësh dhe helikopterësh për përdorim joushtarak”. Duke bërë një përshkrim të shkurtër të objektit të shitjes, Ministria e Mbrojtjes deklaron se synon të shesë nëpërmjet ankandit publik disa tipa avionësh: Jak-18 (6 copë), Mig-15 (3 copë), Uti-Mig (3 copë), Mig 17 (4 copë), Uti-Mig 17 (4 copë), Mig 19 (10 copë), Mig-21 (6 copë) dhe helikopterë Mi-4 (4 copë).


Vlera fillestare totale është 61 400 000 lekë pa TVSH. Avioni luftarak më i lirë është mjeti i vjetër fluturues që përdorej në stërvitjen e pilotëve i tipit “Jak”. Ky avion jepet për 1.100.000 lekë. Ndërsa avionët Mig 19 dhe Mig 21, që gjenden në bazën e Gjadrit ofrohen për 1.900.000 lekë që është çmimi më i lartë. Në shitje janë edhe helikopterët e Farkës të tipit rus, që janë nxjerrë prej kohësh nga inventari i mjeteve të forcave ajrore. Sipas njoftimit, dokumentet e ankandit mund të tërhiqen pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku jepet informacion për gjendjen e çdo avioni.


E veçanta e këtij ankandi është shitja e mjeteve ushtarake pa i shkatërruar, siç është bërë më parë me tanket apo anijet që janë trajtuar vetëm si material për skrap. Me këtë mënyrë, Ministria e Mbrojtjes mund të tërheqë blerës nga e gjithë bota që do ta blinin një Mig të epokës sovjetike si një relike me shumë vlerë për koleksionistët e armëve dhe mjeteve ushtarake.


Më të lexuarat