Nafta e nis javen me rritje ne bursat nderkombetare
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive se kërkesa do të rimëkëmbet gjatë vitit 2023.
Çmimet po mbështeten nga vendimi i qeverisë kineze për të lehtësuar masat kundër Covid-19 dhe nga lajmet se Shtetet e Bashkuara do të blejnë mbrapsht rezervat e naftës që janë hedhur në treg.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët ranë me më shumë se 2 dollarë në sesionin e së premtes, pas komenteve të Bankës Qendrore Europiane dhe Rezervës Federale se, për shkak të rritjes së interesave, ekonomitë mund të shkojnë drejt recesionit.
Kina, që është importuesja më e madhe e naftës në botë, po lehtëson gradualisht masat kundër Covid-19, pavarësisht se në disa rajone po regjistrohet një rritje e numrit të infektimeve.
Gjithashtu, qeveria kineze premtoi se do të fokusohet në mbësstetjen e ekonomisë që vlerësohet në rreth 17 trilionë dollarë. Edhe vendimi i Departamentit të Energjisë në SHBA për të blerë naftën e hedhur në treg për të rimbushur rezervat strategjike kanë përforcuar parashikimin për çmime më të larta.
Në tregun e metaleve të çmuara, ari po tregtohet në rreth 1790 dollarë për onz, ndërsa argjendi po tregtohet në rreth 23.2 dollarë për onz./Burimi: SCAN