Secondary Adv

Mbyllen negociatat me TIA-n, do te hiqet ekskluziviteti per nje rreze 100 km

Pasi Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pohoi gjatë ditës së sotme se është arritur një marrëveshje me koncesionarët e Aeroportit të Rinasit në lidhje me eksluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare, burime nga koncesionari Tirana International Airport (TIA) nuk e konfirmojnë direkt lajmin, ndonëse shprehen optimistë.


“Jemi optimistë që shpejt do të kemi lajm të mirë për të komunikuar në lidhje me negociatat, tha për Monitor Arlinda Çausholli, Drejtoreshë Komunikimi e TIA-s.Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha sot se, është firmosur heqja eskluzivitetit për një rreze deri në 100 kilometra. Duke sqaruar ecurinë e koncesionit në Aeroportin Nënë Tereza në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Ministri tha se, tashmë priten oferta për zhvillimin e aeroporteve të tjera për fluturimet ndërkombëtare.


Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.

 

Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane.


Më të lexuarat