Veriu i Kosoves ende i bllokuar, sot mbahet protesta nga serbet
Veriu i Kosovës vijon të jetë i bllokuar prej 13 ditësh për shkak të barrikadave.
I ashtuquajturi Shtabi i Krizës i formuar nga serbët lokalë ka njoftuar zhvillimin e një proteste që do të mbahet sot në Rudare të Komunës së Zvecanit. Ata kanë njoftuar se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e kryeministrit të Kosovës që i konsiderojnë si kërcënim.
Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështet.
Sipas mediave në Kosovë, në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari etj.
Kjo protestë zhvillohet pasi Albin Kurti gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare u shpreh se largimi i barrikadave në veri nuk mund të përjashtojë viktimat.
Për këtë reagoi dhe ambasadori gjerman në Prishtinë duke kërkuar largimin e barrikadave deri në Krishtlindje dhe e cilësoi absurd kërkesën e Beogradit për futjen e trupave serbe në Kosovë./Burimi: Shqiptarja.com