Secondary Adv

Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik jane prioriteti i qeverise

Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik është thelbësor për uljen e risqeve të ardhura nga borxhi, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike.


Këshilli i Ministrave miratoi Kuadrin Makroekonomik e Fiskal afatmesëm 2017 – 2019. Kuadri Makroekonomik e Fiskal (KMF) për periudhën 2017-2019 është pjesë e sistemit të planifikimit të integruar dhe përgatitet nga Ministria e Financave. KMF ka për qëllim përcaktimin e përparësive strategjike të qeverisë. Ky kuadër fiskal synon një defiçit fiskal prej 1.4 për qind të PBB-së për 2016, nga 2.2 për qind i programuar për vitin 2016, një nivel prej 0.5 për qind të PBB në 2018 dhe për herë të parën gjatë 25 viteve të fundit synon një balancë të përgjithshme fiskale me sufiçit të lehtë prej 0.4 për qind e PBB në vitin 2019.


Ai projekton pritshmërinë makroekonomike në horizontin kohor afatmesëm, si dhe parashikon nivelin e zërave të agreguar të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Ai përcakton synimet dhe objektivat e qeverisë në lidhje me treguesit kryesor të politikës fiskale si: balancën e përgjithshme fiskale (defiçitin), huamarrjen, borxhin publik, balancën fiskale primare e atë korente. KMF, i rishikuar, shërben si bazë për përcaktimin e tavaneve përfundimtare në fazën e dytë të procesit të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2017 – 2019 në nivel ministrie.


Politika fiskale për periudhën afatmesme 2017-2019 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal, ndërkohë që siguron një nivel optimal investimesh rreth 4.5 për qind të PBB (përfshirë këtu edhe Fondin e Zhvillimit Rajonal, si dhe investimet në sektorin e energjisë, të financuara drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit). Ky konsolidim fiskal do të bëjë të mundur që niveli i borxhit publik ndaj PBB-së të vijojë uljen e programuar që në vitin 2016 edhe për vitet e tjera 2017 – 2019. Borxhi publik pritet që të bjerë në nivelin e 68 për qind e PBB-së për 2017, 63.9 për qind në 2018 dhe më tej në 59.3 për qind në vitin 2019.


Më të lexuarat