Secondary Adv

Investimet e huaja ne sektorin financiar jane rritur me 70 per qind ne vitet e fundit

Pas vitit 2015, sektori financiar dhe ai bankar në vend u përball me largimin e disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj.

 

Ky proces solli një përqendrim të sektorit bankar dhe rritjen e peshës së kapitalit vendas në të. Por, pavarësisht këtij procesi, stoku i investimeve të huaja në sektorin bankar ka vazhduar të rritet.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar arriti në 1.39 miliardë euro, në rritje vjetore me 16.6%.

 

Krahasuar me vitin 2015, kur nisi procesi i largimit të disa prej investitorëve të rëndësishëm të huaj (kryesisht në sektorin bankar), stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 70%.

 

Aktualisht, sektori financiar është sektori i tretë për nga vlera e investimeve të huaja direkte të akumuluara, pas energjetikës dhe industrisë nxjerrëse. Investimet në sektorin financiar përbëjnë rreth 12.8% të stokut total të investimeve të huaja direkte.

 

Kriza e kredive me probleme që nisi në vitin 2009 dhe kulmoi në vitin 2015 solli një përkeqësim të performancës së sektorit bankar. Paralelisht, shtrëngimi i kuadrit rregullator të mbikëqyrjes për grupet bankare të Eurozonës solli një rritje të ndjeshme të kostos së kapitalit.

 

Këta faktorë i shtynë disa prej investitorëve të rëndësishëm nga Eurozona të tërhiqeshin nga tregjet e Europës Juglindore. Kjo solli largimin nga Shqipëria të grupeve të rëndësishme bankare, si Societe Generale, Credit Agricole, Banka Kombëtare e Greqisë, Grupi Bankar i Pireut dhe Alpha Bank.

 

Edhe Raiffeisen Bank në disa raste ka hyrë në negociata për të diskutuar shitjen e filialit të saj në Shqipëri, por deri tani këto negociata nuk janë finalizuar me sukses.

 

Largimi i këtyre grupeve të rëndësishme bankare është shoqëruar me një rritje graduale të peshës së investitorëve lokalë në tregun bankar. Por, pavarësisht kësaj tendence, vlera e kapitalit të huaj të investuar në sektorin bankar ka vijuar të rritet, madje edhe me ritme të shpejta.

 

Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së vazhdueshme të kapitalit të investuar nga investitorët ekzistues, kryesisht bankat tregtare. Rritja e madhësisë së bankave kërkon edhe rritjen paralelisht të kapitalit aksioner, për të mbuluar rreziqet e marra përsipër.

 

Në vitet e fundit, edhe Banka e Shqipërisë ka shtrënguar më tej kërkesat rregullatore për kapital, sidomos me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit. Kjo i ka detyruar bankat tregtare, përfshi ato me kapital të huaj, të rrisin kapitalin e tyre aksioner.

 

Një ndikim shtesë kanë pasur edhe vendimmarrjet e Bankës së Shqipërisë për pezullimin e përkohshëm të shpërndarjes së dividendëve, duke filluar nga viti 2020. Fillimisht, vendimi për të ndaluar përkohësisht shpërndarjen e fitimeve u motivua nga pandemia dhe efektet e saj në ekonomi.

 

Por, duke filluar nga fundi i vitit 2021, risqet shtesë erdhën nga vala inflacioniste që goditi ekonominë botërore. Të gjitha këto zhvillime kanë bërë që kapitali i investuar në sektorin bankar, që përbën edhe pjesën dërrmuese të sistemit financiar në vend, të rritet me ritme të shpejta në vitet e fundit.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/investimet-e-huaja-ne-sektorin-financiar-jane-rritur-me-70-ne-shtate-vitet-e-fundit/)


Më të lexuarat