
Tensionet ne veri te Kosoves, serbet shtojne barrikadat!
Situata në veri të Kosovës vijon të jetë problematike, madje duket se ditë pas dite po përkeqësohet.
Duke e cilësuar si arenë lufte, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç i është përgjigjur drejtpërdrejtë presidentes Vjosa Osmani në rrjetin e saj social. Me një gjuhë të ashpër, Brnabiç shprehet “Serbet do fitojnë. Kurti do dështojë”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë diku midis Kralevës dhe Rashkës dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.
Përshkallëzimi i situatës kulmoi ku në Luginën e Preshevës, u arrestua edhe një shqiptar i Kosovës me pretendimin se ishte i armatosur. Mediat serbe shkruan se shqiptari në fjalë, ende i paidentifikuar, lëvizte me arsenal armësh, përkatësisht me snajper, pushka dhe municion luftarak.
Ndërkohë në veri të vendit kur janë bërë 18 ditë nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, për të treguar revoltë, janë vendosur edhe dy barrikada të reja. Vendosja e barrikadave kryhet gjatë natës, ku grupet kriminale bllokojnë edhe më tej lëvizjen e lirë në ato zona.
Situatën e tensionuar e kthejnë në dramatike edhe replikat e krerëve të dy shteteve. Mëngjesin e sotëm Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar ushtrinë dhe të gjitha njësitë së ministrisë së Punëve të Jashtme të jenë në nivelin e gatishmërisë luftarake.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiç ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.
“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t'u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.
“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngritë tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçeviç.
Si u përshkallëzua konflikti në veri të Kosovës?
Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat. /Burimi: https:shqiptarja.com
Më të lexuarat








