Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka marrë një kërcënim me bombë të mërkurën në mëngjes, bëri të ditur zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara. Ajo ka thënë se janë evakuuar udhëtarët dhe personeli.
Policia e Kosovës ka njoftuar se është mbyllur përkohësisht Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, pas kërcënimit me bombë,
Policia ka thënë se kërcënimin e kanë pranuar në sot në orët e paradites, pa e saktësuar orën.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin”, thuhet në njoftim.
Policia ka treguar se me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante.
“Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve. Policia e Kosovës do të vazhdoj të ju mbaj të informuar lidhur me zhvillimet e mëtejme deri në hapjen e aeroportit për qarkullim”.
Edhe zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara ka konfirmuar se kanë pranuar një kërcënim me bombë.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, shkruan Gara në Facebook.
Tri fluturime tashmë janë shtyrë, sipas uebfaqes së Aeroportit.
S’është hera e parë që sivjet ka pasur alarme për bombë në institucione të ndryshme në vend. Në muajin qershor pati një seri alarmesh të rreme në Aeroport, Universitet të Prishtinës e disa shkolla në vend./ Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/kercenim-me-bombe-mbyllet-aeroporti-i-prishtines/)