Secondary Adv

Energjia, Balluku: Bizneset ne tension 20,10,6 kv vijojne me cmim preferencial

Bizneset në tension të mesëm 20,10 dhe 6 kv do të mbahen me çmime preferenciale deri në fund të emergjencës së furnizimit në të cilin është vendosur vendi që prej tetorit 2021.

 

Gjatë një takimi me prodhuesit e energjisë dhe shoqatat e biznesit Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukut bëri të ditur masat që parashikohen.

 

Kjo do të thotë se 7600 bizneset që nga 1 janari 2022 po furnizohen me çmime preferenciale prej 18.2-19.6 lekë do të vijojnë të mbeten në këto nivele duke mos u ekspozuar ndaj çmimeve të tregut deri në qershorit të vitit të ardhshëm.

 

“Klientët e lidhur në tension të mesëm, për aq kohë sa do të jetë në fuqi gjendja e emergjencës ne nuk kemi në plan ti ekspozojmë në treg. Me kostot që mbajmë  dhe me problematikën në tërësi ne sërish do të vazhdojmë ti mbajnë në mbrojtje.

 

Do të kemi tryeza për çfarë mund të adresojmë për kostot e transmetimit dhe e lemë të hapur këtë diskutim por nuk duam ti ekspozojmë. E kemi në vëmendje për shkak të ndikimit që kjo situatë delikate mund të sillte tek familjet shqiptare”, tha Balluku.

 

Lidhur me kërkesat e bizneseve në 35 kilovolt që prej 2018 është në treg të liberalizuar ministrja tha se ata nuk mund të trajtohen me çmim preferencial pasi do të ishte një hap pas. Sipas saj vetë Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nuk do ta lejonte këtë. Gjithsesi Balluku u shpreh se edhe ky grup nuk do të lihet vetëm dhe se është gjetur një formë ligjore për të ndihmuar këtë grup pa prekur parimet e liberalizimit.

 

Për bizneset në tension 35 kilovolt ne e dimë që ka qenë një vit i vështirë. Ka pasur ditë që s’kanë arritur të ndiznin fabrikat për shkak se nuk kanë gjetur energji. Kjo për ne është situatë emergjente. Nga ana tjetër në dijeninë tonë janë përballur me çmime 50-60 lekë/kwh që janë çmime stratosferike. Ne shpresojmë shumë që nga të dhënat që kemi që të ketë një zbutje të çmimeve në tregje por siç e shihni situata në Ukrainë nuk dihet si do shkojë. Për këtë arsye dhe për të shmangur një problematikë më të madhe KESH ka vendosur të hyjë në procedurën e blerjes që FTL ka hapur.

 

Janë 7 kompani që kanë hyrë në gazë dhe KESH ka hyrë me çmime preferencialë më të ulët për të mbështetur biznesin. Kompanitë që janë në treg të lirë nuk i fusim dot sërish në treg të rregulluar. Kemi përdorur një artificë ligjore që askush nuk mund ta quajë të paligjshme pasi KESH ka të drejtë të hyjë në treg dhe të konkurrojë me një çmim. Sot kanë marrë njoftimin që ta dinë që në 2023 nuk janë vetëm dhe mbrohen nga shteti” tha ministrja

 

Hec-et e vegjël marrin rritje çmimi për energjinë

 

Qeveria ka vendosur që prodhuesit me përparësi të energjisë të trajtohen me një çmim më të lartë për energjinë që ata shesin tek kompanitë publike si pjesë e kontratës koncesionare. Në vitin 2022 ky çmim ishte 8.52 lekë por për vitin në vijim ky çmim do të jetë 10 lekë/KWH. Kjo rritje vjen në kushtet kur kompanitë më herët kishin kërkuar të dilnin në treg të lirë por që për shkak të emergjencës u vunë në detyrimin e shërbimit publik duke e bërë të pamundur përfitimin nga çmimet e tregut.

 

Në tryezën me bizneset dhe prodhuesit këta të fundit kërkuan lehtësimin nga nisma për disbalancat që qeveria e miratoi në qershor të këtij viti dhe që sipas tyre rrit kostot por Balluku nënvizoi se HEC-et e vegjël duhet të respektojnë kërkesat ligjore pasi janë mbrojtur për një periudhë jo të vogël kohe përpos faktit që kostot nuk janë të larta.

 

Një tjetër element ku u ndaj diskutimi ishte kërkesa për kontratat konceisonare që ato të shkojnë 99 vjet nga 35 vjet që janë aktualisht diçka për të cilën MIE u shpreh se nuk është e mundur por se mund të shihen mundësitë që në fund të koncesionit investitori fillestar të trajtohet në një formë më favorizuese. Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/energjia-balluku-bizneset-ne-tension-20106-kv-vijojne-me-cmim-preferencial-cmim-me-i-ulet-dhe-35-kv/)


Më të lexuarat