Financat: 33 per qind e te punesuarve nuk deklarojne pagen reale
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme disa vjeçare, tregu i punës në Shqipëri vuan nga një informalitet i lartë, si në punën e zezë ashtu edhe në nëndeklarimin e pagave.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draft-Strategjinë e re të Punësimit dhe Aftësive vë në dukje se rreth 1/3 e punonjësve nuk deklarojnë të ardhura të plota nga punësimi, ndërkohë që punësimi informal në sektorin-jobujqësor ishte 29% në vitin 2021.
Financat vënë në dukje se, gjysma e përfaqësuesve të biznesit të intervistuar pohuan se punësimi i punëtorëve me kontrata që raportojnë vetëm pagën minimale është një praktikë e zakonshme.
Deklarimi i pagës minimale është mjaft e përhapur sidomos në fabrikat ku shfrytëzohet krahu intensiv i punës. Industria tekstile, ajo ushqimorë dhe sektori i ndërtimit deklarojnë paga minimalë për punonjësit edhe pse shpesh pagesat janë më të larta.
Nëndeklarimet bëhen për të ulur kostot e pagesave në të tatimeve mbi pagën dhe pagesat e sigurimeve shoqërore.
Në mjaft raste, informaliteti në punësim shkaktohet jo vetëm nga mungesa e kulturës për pagimin e detyrimeve apo e incentivave për pagesën e këtyre detyrimeve,
por edhe për të shmangur deklarimet apo daljen nga skemat e mbrojtjes sociale, veçanërisht në rastet e punësimit sezonal, sikurse është punësimi në turizëm në zonat bregdetare dhe ato rurale.
Sektori i bujqësisë dhe aktivitetet në zonat rurale përbën kategorinë kryesore ku informaliteti, me gjithë incentivat e përdorura për formalizimin e fermerëve në treg.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë vitit 2021, një çerek milionë të punësuarish, ose 1 në çdo 5 persona të punësuar në Shqipëri, punon pa pagesë në biznesin e familjes.
Punësimi informal mbetet relativisht më i lartë tek të rinjtë, punëtorët me kualifikim të ulët dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, si: bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet e ushqimit dhe të akomodimit.
Në vitin 2021 rezulton se vetëm 47.9% të punësuarve, ose rreth 600 mijë nga 1.25 milionë ishin të punësuar me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë punëtorë pa pagë që punojnë si të vetëpunësuar apo me familjet e tyre.
Ministria e Financave parashikon se tranzicioni i ekonomisë nga bujqësia drejt industrisë dhe shërbimeve (si dhe drejt ekonomisë së gjelbër dhe digjitale) pritet të ulë gradualisht punësimin informal dhe pa pagë fikse.
Megjithatë, përmirësimi i kushteve për punë të denjë, veçanërisht në sektorët jobujqësorë, si dhe ato që lidhen me shëndetin dhe sigurinë në punë, kërkon përpjekje të reja./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/33-e-te-punesuarve-nuk-deklarojne-pagen-reale-29-ne-sektorin-e-biznesit-ne-te-zeze/