Autoriteti Portual i Durresit: Ne 2015-en Turqia kryesoi ne transportin e mallrave me anije
Gjatë vitit 2015 shkëmbimi i mallrave me anije nga porti i Durrësit ka vijuar në 16 vende të ndryshme të globit, nga shtetet fqinje deri në SHBA.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, mallrat e shkëmbyera me anije tregtare me portet e Turqisë arritën në 29%të volumit të përgjithshëm, duke u ndjekur më pas nga Rusia me 22% përqind, Egjipti me 12% dhe Libia me 10% . Sipas statistikave, anijet tregtare sollën në Durrës 977 mijë ton mallra importi, ndërsa eksportuan drejt porteve të tjera me 360 mijë ton mallra.
Porti i Durrësit gjatë vitit të kaluar ka kryer shkëmbime me 66 porte në vende të ndryshme të botës. Turqia, me 22 portet e saj që shkëmbejnë mallra me Durrësin dhe anasjelltas kryeson me 383 mijë ton listën e mallrave me anije, duke lënë në vendet nga i dyti te i katërti vende si Rusia, Egjipti dhe Libia.
Më pas vijnë Italia, me 7 përqind të sasisë së përgjithshme të mallrave me anije; Greqia, Ukraina dhe SHBA me nga 4 përqind secila, e më pas Kina dhe Kroacia me nga 3 përqind të sasisë së përgjithshme të mallrave me anije tregtare.Rusia është në vendin e parë për sasinë e mallrave të importit, me 288 mijë ton. Eksportet udhëhiqen nga Egjipti me 130 mijë ton mallra shqiptare gjithsej.