Bie inflacioni ne eurozone, shkak temperaturat e larta dhe cmimi i gazit
Eurostat ka publikuar raportin mbi inflacionin vjetor në mbarë eurozonën.
Në gjithë Evropën, inflacioni ka qëndruar në shifrën 9.2%. Ky rezultat vjen pasi çmimet e gazit, një nga shtytësit kryesorë pas inflacionit rekord të vitit të kaluar, u kthyen në nivelet e paraluftës për shkak të temperaturave të lartë në stinën e dimrit.
Edhe pse lajmi mund të shihet si një fillim i mbarë për 2023-shin, norma e inflacionit të eurozonës përfaqëson pothuajse pesëfishin e objektivit prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane.
Banka muajt e fundit ka rritur normat e interesit me një ritëm agresiv për t’i bërë shpenzimet më të shtrenjta dhe për të zbutur çmimet në rritje.
Shumica e shteteve që përdorin si monedhë euron, u hasën me një rënie të inflacionit gjatë dhjetorit. Kjo rënie u ndje më tepër në Gjermani, ku gjatë nëntorit shifra ishte në 11.3%, ndërsa në dhjetor u ul deri në 9.6%.
Po ashtu dhe inflacioni i energjisë ra ndjeshëm, nga 34.9% në nëntor në 25.7% në dhjetor, ndërsa ushqimet pësuan një tkurrje më të moderuar, nga 13.8% në 12.% gjatë muajit të fundit.
Është raportuar se, shifrat e fundit nga Eurostat paralajmërojnë një “prirje në ndryshim të inflacionit” drejt një rënieje të vazhdueshme./Burimi: BalkanWeb