Secondary Adv

Hungaria po perjeton krizen me te rende ekonomike

Hungaria po përjeton krizën më të rëndë ekonomike aktualisht dhe është e izoluar në politikën e jashtme.

 

A mund të mbijetojë Orbani edhe këtë krizë dhe si do të veprojë BE? Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka mbijetuar politikisht shumë kriza – të brendshme dhe të jashtme, ekonomike dhe sociale.

 

Por tani Orbani po përballet me sfidën më të madhe të trembëdhjetë viteve të fundit të sundimit të tij. Prandaj, viti 2023 mund të jetë një vit vendimtar e ndoshta politikisht edhe fatal për politikanin me qëndrime joliberale në Evropë.

 

Hungaria po përjeton aktualisht krizën më të madhe ekonomike që nga koha kur vendi cenohej nga falimentimi gjatë krizës financiare ndërkombëtare të 2008/2009.

 

Monedha kombëtare, forinta, ka humbur shumë vlerë muajt e fundit, inflacioni i lartë mbi 20 për qind, po i hedh gjithnjë e më shumë njerëz në vend në mjerim ekzistencial.

 

Kufizimi i çmimeve për ushqimin dhe benzinën deri më tani kanë ndihmuar pak në zbutjen e gjendjes. Por ato nuk japin një pasqyrë reale të gjendjes së rëndë në të cilën gjenden shumë njerëz në këtë vend.

 

Ironikisht, në këtë situatë të vështirë socio-ekonomike, BE-ja i shkurtoi Hungarisë një pjesë të madhe të subvencioneve prej miliarda eurosh për shkak të mangësive në sundimin e ligjit.

 

Shkurtime të mëtejshme janë të pashmangshme – duke përfshirë edhe mundësinë e anulimit të plotë të të gjitha pagesave të Brukselit. Për më tepër, qeveria e Orbanit është më e izoluar se kurrë më parë në Evropë për shkak të qëndrimit të saj pro-rus.

 

Fajtorë janë gjithmonë të tjerët…

“Në fakt, qeveria Orban nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq të vështirë sa është tani,” thotë për DW politologu Peter Kreko nga instituti i majtë-liberal në Budapest.

 

“Këtë mund ta shihni edhe në sondazhet e fundit, sipas të cilave pakënaqësitë sa vijnë e shtohen, apo në protestat e mësuesve dhe pedagogëve, të cilat po vazhdojnë prej muajsh.”

 

Megjithatë, Kreko nënvizon: “Orbani dhe qeveria e tij janë ende shumë të suksesshëm në zhvendosjen e fajit për çdo krizë te aktorët e jashtëm, si BE ose miliarderi George Soros.

 

Orban dhe partia e tij Fidesz kanë një elektorat shumë të qëndrueshëm dhe kanë një sistem të centralizuar të pushtetit. E gjitha kjo do të thotë se ka një shans të mirë që qeveria hungareze t’i mbijetojë edhe kësaj krize.”

 

Gjendja e rëndë por jo e patejkalueshme

Ekonomisti konservator Laszlo Csaba, i cili dikur i përkiste një grupi joformal këshilltarësh të Orbanit, i cili jep mësim në Universitetin e Evropës Qendrore (Budapest/Vjenë), e sheh krizën aktuale të Hungarisë kryesisht si një “krizë të modelit Orban”.

 

“Pas këtij modeli qëndron një politikë e parave të lira, politikës monetare të lirshme dhe shpenzimeve të mëdha. Kjo nuk mund të mbahet më,” tha Csaba për DW. “Në përgjithësi, situata e qeverisë është e vështirë, por jo katastrofike.

 

Hungaria po përballet me një recesion, por jo siç ishte 15 vjet më parë gjatë krizës financiare.” Shumë do të varet për Hungarinë në muajt e ardhshëm nëse subvencionet e BE-së do t’i paguhen këtij vendi apo jo.

 

Vendi është marrësi i dytë më i madh neto i pagesave të BE-së, pas Polonisë. Në vitet e fundit, ato përbëjnë një mesatare prej tre deri në katër për qind të produktit kombëtar bruto të Hungarisë – që përafërsisht korrespondon me rritjen vjetore ekonomike të vendit.

 

Pazari ballkanik

Në mesin e dhjetorit 2022, Komisioni i BE-së fillimisht ndaloi pagesën e 6.3 miliardë eurove për Hungarinë- arsyeja ishte mungesa e sundimit të ligjit dhe akuzat për korrupsion.

 

Në fund të dhjetorit, Brukseli madje kërcënoi të ngrinte shumën totale të planifikuar për Hungarinë në buxhet deri në vitin 2027 – të paktën 22 miliardë euro. Me këtë, BE-ja mund ta çojë Hungarinë në një krizë shumë të rëndë ekonomike.

 

Megjithatë, vështirë se dikush në Hungari beson se kjo do të ndodhë. “BE ka përdorur gjithmonë fjalë të forta ndaj Hungarisë në të kaluarën, por nuk i ka zbatuar ato në praktikë,” thotë ekonomisti Laszlo Csaba.

 

“Prandaj, unë mendoj se një pjesë e financimit të BE do të vazhdojë të rrjedhë. Nëse nuk paguhet asgjë më shumë, BE-ja do të humbasë ndikimin e saj në Hungari dhe kjo nuk është në interesin e Brukselit.

 

Prandaj, procesi i negociatave tani do të jetë si në një pazar ballkanik dhe në fund do të ketë një kompromis”./Burimi: DW/Balkanweb


Më të lexuarat