
Konfindustria: Nafta duhet te ishte nen 183 leke per liter
Konfindustria kërkon që çmimet e hidrokarbureve të rishikohen nga ana e Bordit të Trasparencës me fillimin e vitit, pasi në tregjet botërore çmimet kanë pësuar rënie.
Duke iu referuar të dhënave nga bursat ndërkombëtare, Konfindustria thotë se çmimi aktual për naftën duhet të ishte të pakën nën nivelin e 183 lekëve.
Konfindustria kritikon Bordin të Transparencës se prej më se 2 javësh çmimi i naftës në tregun shqiptar është në kufijtë e pothuaj 200 lekë/litër dhe ende nuk ka një vendimmarrje teksa shpreh shqetësimin se kostot shtesë për qytetarët dhe bizneset arrijnë në këtë mënyrë në vlera miliona dollarë.
“Konfindustria rishpreh shqetësimin për vazhdimin e mosndërhyrjes në vazhdimësi të Bordit të Trasparencës edhe gjatë fillmvitit 2023 për uljen e çmimit të karburanteve në tregun vendor.
Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke u përafruar ndjeshëm kuotave më të ulëta të vitit 2022.
Mbështetur në vlerësimet krahasuese me bazë vjetore, çmimi i shitjes me pakicë të produktit “naftë/diesel” në tregun shqiptar duhet të ishte më i ulët se 183 lekë/litër.
Ndërkohë, prej më se 2 javësh çmimi i naftës në tregun shqiptar është në kufijtë e pothuaj 200 lekë/litër. Kostot e mësipërme shtesë për qytetarët dhe bizneset arrijnë në vlera miliona dollarë $.
Konfindustria rishpreh shqetësimin e saj, se Bordi i Trasparencës në vazhdimësi vonon në mënyrë të tejskajshme kohore dhe qartësisht të qëllimtë vendimmarrjen në rastin e uljes së çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë institucioni në fjalë vazhdon praktikën e vendimmarrjes së menjëhershme në rast të rritjes së çmimeve së karburanteve, duke e pasqyruar drejtpërdrejtë në tregun vendor.
Praktika e mësipërme godet ashpër interesin publik dhe favorizon hapur oligopolin e operatorëve të karburanteve, rritjen e sforcuar të të ardhurave buxhetore si dhe mbështet kontrabandën masive.
Konfindustria ka kërkuar në vazhdimësi shkrirjen e Bordit të Transparencës dhe themelimin e Entit të Karburanteve si dhe marrjen e masave për rritjen e domosdoshme të konkurueshmërisë në tregun më të madh strategjik të vendit prej 10—11% të PPB me qarkullim mbi 1.5 miliard $/vit.
Enti i Karburanteve duhet të jetë në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe i përbërë nga profesionistë.
Bordi i Trasparencës është në varësi të ekzekutivit dhe i përbërë, në konflikt të plotë interesi, në gjysmën e tij nga përfaqësues të vetë subjekteve tregtare, që duhet të hetohen për spekulime të mundshme në treg”, thuhet në reagimin e bërë nga Konfindustria.
Më 20 dhjetor 2022, Bordi i Transparencës përcaktoi çmimet e reja ku kishte një ulje prej 3 lekësh për çmimin e naftës dhe 1 lekësh për çmimin e benzinës. Nga 20 dhjetori, nafta tregtohet me 199 lekë/litri nga 202 që ishte më parë.
Ndërsa benzina shitet me 177 lekë/litri nga 178 lekë lekë/litri që ishte. Sa i takon çmimit të gazit, ai është rritur me 10 lekë, nga 61 lekë që ishte më parë do të shitet me 71 lekë për litër./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








