Cmimet globale te ushqimeve arriten nivelin rekord ne 2022
Çmimet globale për produktet ushqimore si drithërat dhe vajrat vegjetale arritën nivelin më të lartë vitin e kaluar, pavarësisht rënies që pësuan për 9 muaj me radhë.
Çmimet globale për produktet ushqimore si drithërat dhe vajrat vegjetale arritën nivelin rekord më të lartë vitin e kaluar, pavarësisht rënies që pësuan për 9 muaj me radhë, tha FAO, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë, thatësira dhe faktorë të tjerë ishin shkaktarët e inflacionit dhe përkeqësuan urinë në mbarë botën.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve nga FAO, i cili gjurmon ndryshimet mujore të çmimeve ndërkombëtare të produkteve ushqimore që tregtohen më shpesh, u ul me 1.9% në dhjetor krahasuar me një muaj më parë, deklaroi të premten organizata me qendër në Romë.
Përgjatë vitit të kaluar, indeksi arriti mesatarisht nivelin 143.7 pikë, 14% më shumë se mesatarja e vitit 2021 gjatë të cilit pati gjithashtu rritje të mëdha.
Rënia e muajit dhjetorit erdhi nga reduktimi i çmimit të vajrave vegjetale, në rrethanat e rënies së kërkesës për importe, pritshmërive për rritjen e prodhimit të vajit të sojës në Amerikën e Jugut dhe reduktimit së çmimeve të naftës së papërpunuar.
Çmimet e drithërave dhe të mishit pësuan gjithashtu rënie, ndërsa ato të bulmetit dhe të sheqerit patën një rritje të vogël. “Reduktimi i çmimeve të produkteve ushqimore janë të mirëseardhura pas 2 vitesh me çmime tepër të paqëndrueshme”, tha në një deklaratë kryeekonomisti i FAO-s, Maximo Torero.
“Është e rëndësishme që të mbetemi vigjilentë dhe të fokusohemi për të zbutur pasigurinë globale për ushqimet, duke pasur parasysh se çmimet botërore të ushqimeve mbeten në nivele të larta dhe shumë produkte kanë arritur nivele rekord, çmimi i orizit është në rritje dhe ekzistojnë ende shumë rreziqe që lidhen me furnizimet në të ardhmen.”
Vitin e kaluar, Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve nga OKB arriti nivelin më të lartë që nga fillimi i llogaritjes së tij në vitin 1961, sipas të dhënave të FAO.
Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt përkeqësoi krizën ushqimore, pasi të dyja vendet ishin furnizuesit kryesorë globalë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe produkteve të tjera, veçanërisht për vendet e Afrikës, të Lindjes së Mesme dhe të Azisë që tashmë po përballen me urinë.
Me ndërprerjen e furnizimeve nga Deti i Zi, çmimet e ushqimeve arritën nivele rekord, duke shtuar kështu inflacionin, varfërinë dhe pasiguritë ushqimore në vendet në zhvillim që janë të varura nga importet.