Permiresohet besimi ne ekonomi ne dhjetor, pritet renie cmimesh
Fundi i vitit 2022 ka sjellë përmrësim te besimit në ekonomi qoftë të bizneseve, ashtu edhe të konsumatorëve.
Sipas rezultateve të anketës mbi besimin e bizneseve dhe konsumatorëve të sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi rritje me 2.7 pikë në muajin dhjetor.
Niveli aktual i tij, 105.7 pikë, u rrit për të dytin muaj me radhë dhe reflekton përmirësimin e besimit në të gjithë sektorët e biznesit, ku ndikimin më të madh e patën sektori i ndërtimit dhe i industrisë.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 5.5 pikë përqindje në muajin dhjetor, duke regjistruar përmirësim të ndjeshëm të treguesit për të dytin muaj radhazi.
Ky zhvillim u ndikua nga përmirësimi i balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rënie në sektorin e ndërtimit.
Ndërkaq, treguesi i besimit të industrisë (TBI) rezultoi në rritje me rreth 2.9 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga përmirësimi i të gjithë treguesve përbërës të tij.
Ndër ta veçohen rritja e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave porositëse. Gjithashtu, bizneset presin rritje të prodhimit në të ardhmen, kundrejt pritjeve në rënie për punësimin dhe për çmimet e produkteve të tyre.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) shënoi rritje të lehtë me rreth 0.7 pikë përqindje në muajin dhjetor, ndikuar nga performanca më e mirë e treguesit të ecurisë së biznesit.
Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë se ka rritje të punësimit aktual, ndërkohë që pritjet për të ardhmen janë në rënie.
Ecuria e çmimeve të shërbimeve në të ardhmen e afërt pritet të jetë në kahun rënës. Njëkohesisht edhe treguesi i besimit në tregti (TBT) vijoi prirjen rritëse, me rreth 1.8 pikë përqindje në këtë muaj.
Treguesi u ndikua nga vlerësimet më pozitive për ecurinë aktuale të biznesit dhe për punësimin në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rënie./Burimi: SCAN