Secondary Adv

Komisioni i PE miraton liberalizimin e vizave per Kosoven

Komisioni për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE) i PE, më 12 janar miratoi marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

Bëhet fjalë për marrëveshjen që është arritur në dhjetorin e kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian, që atëbotë udhëhiqej nga Republika Çeke. Vendimi u miratua në LIBE me 48 vota për, shtatë kundër dhe tri abstenime.

 

Miratimi i marrëveshjes në këtë komision të PE-së dëshmon se formalizimi i vendimit të bllokut evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe procedurave përkatëse, ku përfshihen institucione të ndryshme të BE-së.

 

Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?

PE-ja ka caktuar deputetin socialist nga Holanda, Thijs Reuten, raportues të saj për dosjen që ka të bëjë me liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

Reuten disa herë ka deklaruar se Parlamenti Evropian do të punojë me shpejtësinë maksimale për këtë proces, i cili, siç ka thënë ai, veçse ka zgjatur shumë.

 

“Një hap më afër udhëtimit të shumëpritur pa viza për Kosovën”, shkroi në rrjetet sociale Reuten, duke paralajmëruar se hapi i ardhshëm në PE do të jetë votimi në seancën plenare, ku duhet të votojnë të gjithë deputetët e Parlamentit.

 

Diplomatët e BE-së kanë thënë se tashmë ka mbetur vetëm përmbyllja e pjesës formale të vendimit, pasi Presidenca çeke me sukses e kishte përfunduar punën kryesore në dhjetorin e vitit të kaluar.

 

Përpjekjet e Presidencës çeke ishin kurorëzuar së pari me pajtimin e shteteve të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky vendim ishte kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së voni deri më 1 janar 2024.

 

Suedia si kryesuese e BE-së do ta ketë prioritet edhe Ballkanin

Sistemi ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t'i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

 

Pas të gjitha shtetet anëtare ranë dakord për këtë vendim, Këshilli nisi negociatat me Parlamentin Evropian për të formalizuar vendimin sipas procedurave të BE-së.

 

Por, me insistimin e Presidencës çeke, mjaftoi vetëm një takim me përfaqësuesit e Këshillit dhe Parlamentit që të arrihej marrëveshje për çështjen e vizave.

 

Tani ka mbetur që në strukturat punuese të Këshillit të përkthehet teksti i marrëveshjes në të gjitha gjuhët dhe të miratohet sërish nga ambasadorët, në mënyrë që më pas të paraqitet për konfirmim edhe një herë para Parlamentit Evropian.

 

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së.

 

Që nga viti 2018, Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim, por vendimi nuk ishte marrë për shkak se disa shtete kishin shprehur rezerva./Burimi: REL


Më të lexuarat